Vangjel Dule braktisi minoritetin: Dhjetë herë më shumë arsye për të kandiduar unë në Tiranë, sesa Rama në Vlorë

Edhe pse fushata ende nuk ka nisur zyrtarisht, tensioni është i lartë. Për incidentet e dhunshme në Elbasan, kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule fajëson qeverinë. Sipas tij, kryeministri Edi Rama, në mungesë të argumenteve dhe alternativave, përpiqet ta përqëndrojë opinionin publik në shfaqje të tilla të dhunshme.

Në një lidhje direkte me edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, Dule iu është përgjigjur akuzave të kreut të qeverisë se ka braktisur minoritetin, duke siguruar një vend të sigurt në Tiranë.

“Është e qartë dhe jam shprehur në mënyrë të përsëritur, kryeministri dhe qeveria, në mungesë të argumenteve dhe korruptimit të drejtuesve të saj, përpiqet me çdo kusht për të shmangur debatin e mirëfilltë politik, ballafaqimin e alternativave dhe përqëndrimin e opinionit publik në shfaqje të tilla të papranueshme.

Duhet maturi, vendosmëri, për t’i qëndruar larg një fryme të një ballafaqimi të tillë. Në politikë, duhet ballafaqim idesh, jo përmes dhunës. Unë kam dhjetë herë më shumë arsye për të kandiduar në Tiranë sesa ka Edi Rama për të kandiduar në Vlorë.”

Për Dulen, synimi i koalicionit ku ai bën pjesë, është largimi i kësaj qeverie. “Ne nuk kandidojmë si forcë më vete, por si koalicion. Qëllimi: të jemi grupimi fitues i zgjedhjeve të 25 prillit. Me këtë fitore, PBDNJ do të ketë pjesën e vetë. Ajo që mund të flitet, pretendimi është 1 deri në 2 mandate, por e rëndësishme është që performanca jonë të jetë optimale.

Objektivi strategjik: largimi i kësaj qeverie, e cila ka nëpërkëmbur demokracinë, rrënuar ekonominë, poshtëruar qytetarin. Është një fushatë e një natyre krejt të ndryshme nga ajo që ne kemi ballafaquar në fushatat e shkuara elektorale. Takimet janë personale, ose takime shumë të vogla. 26 prilli mund të jetë i ndryshëm pozitivisht për çdo komunitet dhe qytetar.”