REPORTAZHI: Kthimi i Janinës në ‘zonë të kuqe’ kufizon kurimin e pacientëve me COVID-19 nga Shqipëria

Dhjetëra pacientë nga pakica greke në jug të Shqipërisë janë kuruar në spitalet greke për COVID-19 gjatë pandemisë, por vendosja e rajonit të Janinës në ‘hartën e kuqe’ të riskut e ka kufizuar shkëmbimin ndërkufitar.

Nga Raimond Kola

Taqi D., rreth të shtatëdhjetave lëviz ngadalë me bastunin e drunjtë në rrugët e Dervicianit, fshati më i madh i Dropullit të Poshtëm, një zonë që banohet nga pakica greke në skajin jugor të Shqipërisë.

”Ia hodha koronës, tre javë në Janinë në spital me oksigjen dhe terapi intensive, po ia dola,”  thotë ai.

I moshuari shkoi në Greqi me ndihmën e familjarëve nëntorin e vitit të shkuar, ku ka marrë kurim si shumë bashkëfshatarë të tij në Janinën fqinje.

“Nisën të ndodhnin vdekje në fshat në nëntor dhe u tremba,” kujton Taqi. “Në fillim isha mirë, por gjendja m`u përkeqësua dhe djemtë erdhën dhe më morën,” shtoi ai.

Pasi mbijetoi duke marrë frymë me aparatura në spitalin Haxhikosta të Janinës për tre javë, Taqi u shërua nga koronavirusi.

“Tani kam pak diabet të lartë, por nga të tjerat jam mirë,” tha ai, ndërsa shtoi se oksigjenin e kontrollon akoma me një aparat të vogël që ia kanë blerë fëmijët.

Taqi është një nga dhjetëra personat nga Dropulli dhe Finiqi që përfituan kurim në Greqi gjatë periudhës së pandemisë, por ditët e fundit, autoritetet greke e kanë kufizuar në mënyrë drastike pranimin e pacientëve të rinj me COVID-19 në dy spitalet e Janinës.

Autoritet vendore në Janinë kanë kërkuar një racionalizim ose shpërndarje në rajone të tjera të Greqisë të pacientëve që udhëtojnë nga zonat minoritare për kurim nga COVID-19.

Kufizimi i transferimit të pacientëve është kundërshtuar nga përfaqësues të minoritetit në Dropull, të cilët theksojnë se ata që kanë marrë ndihmë shëndetësore përtej kufirit, nuk janë vetëm me origjinë dhe identitet grek, por në të njëjtën kohë edhe nënshtetas.

Që nga shpërthimi i pandemisë në Shqipëri një vit më parë, më shumë se 121 mijë persona janë prekur nga COVID-19 dhe 2145 pacientë kanë humbur jetën. Situata ka qenë e rënduar edhe në zonat e banuara nga pakica greke në jug të Shqipërisë.

“Numri i infektimeve edhe në bashkinë e Dropullit ka qenë i lartë, megjithëse këto zona janë pak të banuara,” tha shefi i Epidemiologjisë në Gjirokastër, Arenc Brahimi.

Brahimi shpjegoi se Shërbimi Epidemiologjik në Gjirokastër ka mbuluar rregullisht kryerjen e testeve  dhe depistimin në dy qendra – atë të Dervicianit dhe Jorgucatit, por edhe në zonën malore të Poliçanit.

“Numri më i madh i infektimeve është shënuar në Dervician, sidomos gjatë nëntorit,” tha Brahimi.

Paralelisht me testimet e Shërbimit Epidemiologjik në Gjirokastër, janë kryer edhe teste të shpejta në disa zona të banuara nga pakica greke në Gjirokastër dhe Sarandë, të cilat janë dhuruar nga Ambasada Greke në Tiranë.

Një pjesë e të infektuarve me COVID-19 në gjendje të rëndë janë transferuar nga familjarët në Greqi për kurimin, kryesisht në spitalet e Janinës.

Nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e pacientëve që janë kuruar nga zonat e pakicës greke në Shqipëri në dy spitalet e Janinës, por ky numër vlerësohet nga 6 deri 10 persona në muaj.

Të dhënat kufitare në vendkalimin e Kakavijës tregojnë se të gjithë pacientët e dërguar për kurim në Janinë kanë qenë pjesëtarë të pakicës greke, të cilët gëzojnë të drejtën e trajtimit shëndetësor në Greqi, pasi janë me dy shtetësi.

Ministria e Jashtme Greke është angazhuar për trajtimin e rasteve me COVID-19 nga pjesëtarët e pakicës  greke që jeton në Shqipëri, duke shmanguar miratimin e autoriteteve vendore në Janinë, nëse këta pacientë duhej të pranoheshin apo jo në spitale.

Për rastet në gjendje të rëndë, praktika që ndiqej për transferimin e pacienëtve të infektuar me COVID-19 ishte lidhja e familjarëve me mjekët në Janinë që merrnin përsipër kurimin dhe marrja nga konsullata greke në Gjirokastër e lejes së kalimit në pikat kufitare.

Në muajin shkurt, rajoni i Janinës u përfshi në ‘zonën e kuqe’ të hartës greke të riskut nga koronavirusi, duke krijuar një debat mes autoriteteve vendore për mbajtjen e barrës për kurimin e pacientëve nga Shqipëria.

Kryetari i bashkisë së Janinës, Moses Elisaf ka kërkuar ‘racionalizimin’  e pranimit të pacientëve nga Shqipëria.

“Transferimi i pacientëve duhet të bazohet në kritere të rrepta, që duhet të zbatohen nga të gjithë, të shmanget ndërhyrja në këtë proces dhe pacientët nga Shqipëria duhet të shpërndahen në të gjitha spitalet e rajonit, jo vetëm në Spitalin Universitar të Janinës,” pohoi Elisaf për median greke.

Sipas deklarimeve të Prefektit të Janinës, Aleksandros Kahrimanis, të bëra në mesin e muajit shkurt, gjysma e të shtruarve në reanimacion për COVID 19 në spitalet e Janinës ishin nga Shqipëria. Duke iu referuar shifrave, prefekti i rajonit grek, fqinj me Shqipërinë, pohoi se në spitalet e Janinës  po trajtoheshin 28 raste në terapi intensive, nga të cilat 14 nga Shqipëria.

“Sot, 50 % e të shtruarve në Spitalin e Janinës vijnë nga Shqipëria, nga ku vijnë të gjithë të shtruarit në Njësitë e Kujdesit Intensiv dhe për të cilët vendoset nga Ministria e Jashtme Greke,” tha Kahrimanis.

Deklarata e prefektit të Janinës nuk u prit mirë nga autoritet vendore të bashkisë së Dropullit. Kryetari i bashkisë, Dhimitër Toli, iu përgjigj menjëherë  duke i vlerësuar të pasakta dhe fyese.

Toli theksoi se pacientët që marrin trajtim mjekësor në Greqi “nuk janë vetëm shtetas shqiptarë me origjinë greke, por janë, njëkohësisht, shtetas grekë, me identitet grek dhe të drejta votimi në Greqi dhe, si të tillë, ata kanë të drejtë të marrin kujdes mjekësor në spitalet e Janinës.”

Prefekti i Janinës, Kahrimanis iu ripërgjigj deklaratave duke pohuar se nuk e kuptonte protestën dhe reagimin e kryebashkiakut të Dropullit. Ai shtoi se deklaratat e tij synonin  të shmangnin një bllokim të rreptë në një njësi rajonale prej 150 mijë banorësh dhe nuk shënjestronin pjesëtarët e minoritetit grek në Shqipëri.

“Prefektura e Janinës  përballet me mundësinë e vendosjes së masave të reja të rrepta, të cilat do të ndikojnë rrënjësisht në jetën e përditshme të 150,000 banorëve të saj, bizneseve, etj,” tha ai.

Të dhënat që raportohen nga spitali i Janinës  në mediat vendore greke tregojnë se disponueshmëria e shtretërve në Njësitë e Sëmundjeve Infektive është rreth 60%, ndërsa transferimet e pacientëve nga Shqipëria gjatë javëve të fundit janë minimizuar.

Megjithatë, nga të dhënat vendore si në Dropull edhe në Finiq mësohet se edhe përpara kufizimit të transferimeve ndërkufitare, pjesa dërrmuese e rasteve të infektimeve janë trajtuar në Shqipëri.

“Shumica e rasteve të infektimeve me koronavirus janë trajtuar në spitalet shqiptare,” tha Kristaq Lengo, një zyrtar i administratës së shërbimeve në bashkinë e Dropullit, i cili shtoi se vetëm një numër i paktë i rasteve të rënda janë trajtuar në Janinë.

Nga të dhënat e siguruara nga BIRN, 6 persona në këtë bashki kanë humbur jetën nga COVID-19, dy prej të cilëve janë kuruar në spitalet shqiptare, ndërsa 4 prej tyre kuruar në Janinë dhe Athinë.

Përveç trajtimi të infektuarve, shefi i Epidemiologjisë, Arenc Brahimi i tha BIRN se autoritetet vendore shëndetësore në jug të Shqipërisë kanë vaksinuar edhe një pjesë të të moshuarve mbi moshën 80 vjeç që banojnë në zonat minoritare.

“Moshat e treta sapo janë përfshirë në procesin e vaksinimit,  ku deri tani janë realizuar 83 vaksinime me vaksinën Pfizer në bashkinë e Dropullit, nga një listë që gjithsej në këtë fazë ka rreth 140 persona,” përfundoi ai.