Rama premton: Në mandatin e tretë, ujë të pijshëm 24 orë

Gjatë mandatit të tretë, kryeministri Edi Rama deklaroi se do të sigurojë 24 orë ujë të pijshëm.

Premtimi për furnizimin me ujë 24 orë në të gjithë territorin, kreu i qeverisë e beri gjatë prezantimit të programit qeverisës 2021-2025 për ujin dhe energjinë.

Para vitit 2013, Rama tha se sistemi i ujësjellësit ishte në kolaps, ndërsa ndërmarrjet sipas tij ishin kthyer në fole punësimi partiak.

“Ndërmarrje e Ujësjellësit ishin fole punësimi partiak. E nisëm më konceptimin e një tjetër arkitekture të administrimit të sistemit me krijimin e një agjencie kombëtare që koordinon nga lart investim dhe sistemin e furnizimit me ujë dhe administrimin e mbetjeve me një plan strategjik dhe financim masiv të projekteve që nisën të hartohen njëri pas tjetrit.

Kemi miratuar gjatë mandatit të 2-të 320 projekte dhe vetëm në dy vitet e fundit janë hapur mbi 200 kantiere për ujësjellës që do të garantojnë 24 orë ujë brenda këtij viti, në territor, që e kanë pasur një vuajtje dhe lëngatë prej shumë dekada.

Në mandatin e tretë do të garantojmë me disa faza furnizimin me ujë 24 orë në Tiranë, ku është dhe problemi më i madh. Kështu do të ndodh edhe në Kamëz, ku s’ka pasur ujë më parë.

Me rritjen e buxhetit për ujin me 40% ne do të garantojmë më në fund 100% ujë të pijshëm 24 orë në zonat urbane dhe uji i pijshëm nuk do të jetë më temë e fushatave elektorale”, tha Rama.