Nebile Roboçi, notarja e viteve ‘50 nuk e ka prishur miqësinë me detin as në 85-at e saj
Nga Thoma Nika
Askush në lagje nuk e bën për 85-vjeçare. Trupin e mban drejt, qese me ilaçe nuk mban as me vete e as në komodinën e shtëpisë në buzë të asaj rrugicës, që të ngjit për në të ashtuquajturën “Lagje Amerikane” në Sarandë.
“Nuk kam as tension, asgjë, nuk përdor asnjë ilaç, se nuk mbaj mend as kur më ka dhëmbur koka për herë të fundit”.
Kjo është si prezantim i parë me Nebile Roboçin.
Të sotmen e ka të vështirë dhe të trazuar me një konflikt pronësie mbi shtëpinë, që, sipas saj, gjykata e ka zgjidhur në mënyrën më të mbrapshtë. E nga një banore e hershme e Sarandës, me një shtëpi dykatëshe që rrallëkush e kishte, sot jeton në një kthinë thuaj në rrugë, që ka për çati një çadër të një prej kompanive tregtare. Por le të mos u hyjmë në hak gjykatave e gjyqtarëve. Ata dinë çfarë bëjnë.
Prozhektorët tanë le të bien mbi karakterin e fortë e të duruar të Nebos. Tek e pash të kthehej në shtëpi dhe të kthente çelësin “tutius” e të çelte portën hekurishte, edhe më shumë mendova për atë që e mban të fortë në jetë këtë grua. Në të 15-at e saj, në adoleshencë dhe në rini, çante valët e detit si një kroliste e lindur, ndërsa tani nuk e ligështojnë dallgët e jetës, sado me shkulme t’i vijnë.
E ngacmoj të futet në kujtime e ta harrojë të sotmen. Dhe e bëri me qejf të madh. “E kam nisur notin- tha- kur isha 13 vjeçe dhe bëra emër në 15”. Rrëfeu emocione garash në zadrën e Sarandës dhe jashtë saj: në Durrës, Vlorë etj.
Përpara se të ishte “Butrinti”, ekipi mbante emrin “Puna”.
Dhe nga puna na vinte edhe emri, edhe rezultatet, edhe rekordet, vlerëson rekordmenja e disa viteve me radhë. Na tregon se si me gërshetin e saj të gjatë luante vala e Jonit dhe se si gërsheti e bënte të dallueshme lehtësisht si në tokë edhe në ujë, kur në krah kishte notaret “rivale”.
– Ndodhte shpesh, kujton ajo, që zadra e Sarandës ushtonte nga zërat që kurajonin mua, me thirrjet “gërsheti, gërsheti”.
Tregon se si bëhej “arushë deti” dhe për të dalë në fund të 400 metrave det, i janë dashur vetëm 8 minuta 27 sekonda e 1 të dhjeta. E kjo i dha “vulë” kampioneje.
Na tregon edhe një fotografi kur, pas kampionatit, të gjitha ekipet pjesëmarrëse janë rreshtuar dhe në sfond është portreti i Stalinit, si miku i madh i kohës dhe modeli të cilit donte t’i ngjante Enveri.
Në çantën jo dhe aq “pleqërishte” të saj, Nebua mban edhe një libër, të cilit ia ka palosur faqen te 49, atje ku shkruhet e përshkruhet se çfarë ylli i notit sarandiot ka qenë Nebile Roboçi (sot Avdia). Është libri “Mozaik noti në Sarandë”, shkruar me dashuri nga qëmtuesi e mëtuesi i adhuruar i trashëgimisë sportive, i mirënjohuri Xhorxhi Vasili.
Ky libër na vjen si një enciklopedi e sportit të notit, për të mos u harruar e për t’iu referuar, për të kuptuar më mirë çdo ecje dhe çdo ngecje që kemi.
Një gur tërë nur i këtij “mozaiku të notit sarandiot”, është Nebua. Kjo Nebo, që duket se nuk i bën dot gjë as pesha e viteve dhe as pesha e halleve, që i mban përbrenda. As formën sportive nuk e ka humbur, si në tokë edhe në det.
Tani që ka hyrë pranverë është “e abonuara” e plazheve poshtë shetitores në Sarandë. Në këto kohë korone, as ia bën tërr syri dhe maskën e vë kur sheh ndonjë polic, që nuk e njeh për fytyrë.
– Të gjitha këto “medalje trimërie”, thotë Nebua, i kam dhuratë nga noti, nga miqësia me detin.