Mbyllet tenderi i Tunelit të Llogarasë, Gjoka Konstruksion fituese?

Sot në orë 12.00 të mesditës ka skaduar afati i procedurës lidhur me ‘Ndërtimin e Tunelit të Llogarasë’ në segmentin rrugor Orikum-Himarë.

Ky segment është pjesë e Autostradës SH8 (Vlorë – Sarandë), tunel i trumbetuar nga qeveria Rama si një ndër akset dhe investimet më të rëndësishme në të ardhmen e bregdetit jugor.

Burime thonë se në procedurë kanë marrë pjesë 6 operatorë ekonomikë, pra mund të thuhet se procedura ka patur interes dhe ka tërhequr investitorë të ndryshëm.

Nga informacionet e para rezulton se janë 4 shoqëri të huaja dhe 2 shqiptare që kanë marrë pjesë në procedurë.

Shoqëria me vlerën më të ulët është Gjoka Konstruksion sh.a. e cila ka marrë pjesë me një fond rreth 14 miliardë lek të reja, rreth 5 miliardë lek më poshtë se fondi limit prej 19 miliardë lekësh, ose e thënë ndryshe rreth 25% më ulet se fondi limit . Ndërkohë ka patur dhe një ofertë me 19 miliardë lek, pra në kufijtë e fondit limit (shoqëria Limak nga Turqia).

Qeveria Rama ka deklaruar më parë se kjo procedurë mbetet një prioritet për teë, mbetet për t’u parë tani sa shpejt do të mbyllet procedura dhe të shpallet fituesi.