Marrëveshja me gjigantët amerikanë për termocentralin e Vlorës/ Balluku: Gur kilometrik në historinë energjitike shqiptare
Diversifikimi i prodhimit vendas të energjisë, por dhe vendosja e vendit tonë në pozicionin e shpërndarësit të gazit të lëngshëm amerikan për rajonin, hap një faqe të re në marrëdhëniet mes dy vendeve, mbështetur në partneritetin e kahershëm.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku informon se sot nënshkruhet marrëveshja mes MIE nga njëra anë dhe Exxonmobile e Excelerate Energy nga ana tjetër, dy nga gjigantët amerikanë të fushës, e cila tha ajo shënon një gur kilometrik në historinë energjitike shqiptare.
Arritja e marrëveshjes është vlerësuar dhe nga Departamenti i Shtetit përmes Zëvendëssekretarit të Shtetit për Europën dhe Eurazine, Philip T. Reeker.
“Sot finalizohet një punë intensive dy vjeçare, e cila nuk mbeti pa u vlerësuar dhe nga Departamenti i Shtetit përmes Zëvendëssekretarit të Shtetit për Europën dhe Eurazine, Philip T. Reeker. Marrëveshja mes MIE nga njëra anë dhe Exxonmobile e Excelerate Energy nga ana tjetër, dy nga gjigantët amerikanë të fushës, shënon një gur kilometrik në historinë energjitike shqiptare. Diversifikimi i prodhimit vendas të energjisë, por dhe vendosja e vendit tonë në pozicionin e shpërndarësit të gazit të lëngshëm amerikan për rajonin, hap një faqe të re në marrëdhëniet mes dy vendeve, mbështetur në partneritetin e kahershëm”, deklaroi Balluku.
Marrëveshja konsiston në investimin për transformimin e TEC-it të Vlorës, duke e kthyer në një TEC me gaz të lëngshëm.
Kryeministri Edi Rama deklaroi një ditë më pare se “Vlora do të bëhet porti hyrës i gazit të lëngshëm për Ballkanin përmes aleancës me amerikanët”.
Shtetet e Bashkuara e kanë përshëndetur memorandumin e bashkëpunimit të Shqipërisë me “Exxonmobile” dhe “Excelerate Energy”, duke i cilësuar si hapa të parë drejt rinisjes dhe zgjerimit të operacioneve në termocentralin e Vlorës.
Në një letër dërguar ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, zëvendëssekretari i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Philip Reeker thekson se ky partneritet do të kontribuojë ndjeshëm për pavarësinë energjetike të vendit tonë dhe do ta kthejë Vlorën dhe Shqipërinë në një qendër energjie.
Shtetet e Bashkuara, thuhet në letër, e mbështesin me forcë Shqipërinë në avancimin e sigurisë energjetike.
“Struktura në Vlorë do të shënojë një hap të rëndësishëm përpara drejt zgjerimit të qasjes së Europës ndaj burimeve të shumëllojshme dhe të qëndrueshme të energjisë. Një Europë e sigurtë në burimet e saj të energjisë është një partner i fuqishëm në arritjen e objektivave tona të përbashkëta në rajon e në mbarë botën”, theksohet në letër.
Reeker thekson se “përpjekjet tuaja për firmosjen e marrëveshjes kanë qenë domethënëse e personalisht, e vlerësoj vizionin tuaj dhe dëshirën për të punuar me firma të rëndësishme amerikane për këtë projekt”.