Krimi shendetsor/ “Saranda Al” shet djathin e mykur e nderron etiketat

Emisioni Stop në Tv Klan ka denoncuar krimin shëndetësor që bën subjektin “Saranda Al” me produktet ushqimore. Në redaksinë e emisionit mbërriti një denoncim nga një ish-punonjëse e këtij subjekti, që tregton produkte bulmeti dhe vaj sallate e ulliri.

Në kushte anonimati, kjo ish-punonjëse tregon se në magazinën e subjektit “Saranda Al” çdo gjë është e falsifikuar. Vajit të sallatës, që shitet si i përzier mes vajit luledielli dhe vajit të ullirit, ajo thotë se i hidhet ngjyryes dhe nuk ka aspak vaj ulliri.

 

Këtë pohim e mbështesin edhe pamjet e fshehta, që tregojnë se si pronari i subjektit “Saranda Al”, Mihal Kote, udhëzon punëtorët që të hedhin përzierës, ngjyrues dhe kimikate të tjera në vaj.

Sipas të njëjtit denoncim, në magazinën e këtij subjekti mblidheshin shumë lloje vajrash, kryesisht vaj luledielli i skaduar, pa etiketë dhe riambalazhohej me etiketë të re nën emrin “Saranda Al” me pronar Mihal Kote.

Vajit të lulediellit i shtohen disa përbërës, një lloj lëngu me ngjyrë të kuqe dhe një produkt tjetër në formën e plastelinës, që përzihet në enë të vecanta dhe i shtohet vajit të lulediellit, për të marrë ngjyrën dhe aromën e vajit të ullirit.

Denoncuese: Unë kam punuar dikur tek shoqëria e Sarandës, punëtore, kam mbushur vaj, kam paketuar djath, i kam bërë të gjitha proceset brenda në magazinë. Por kam parë shumë gjëra skandaloze. Si për shembull, vaji që nuk ishte fare asnjë pikë vajë ulliri brenda. Ishte thjesht val luledielli, i hidhnin një bojë jeshile nuk e di se çfarë ishte, nuk ja di emrin; një bojë të kuqe, shumë solucione, një erë limoni, dhe shumë gjëra të tjera që ai e quante vaj sallate. Përzierja bëhej vetë nga punëtorët. Kishte një formulë që ia kishte dhënë pronari vetë dhe me atë formulën e peshonin me gramatura. I peshonte punëtori dhe i  hidhte në cisternën e vajit të lulediellit. Djathi për shembull kur vinte, lexonte etiketa feta lope, ky e shiste për djath dhie. Ndryshonte thjesht etiketën, jo ambalazhimin dhe e shiste në treg për djath dhie. E kishte dhe në etiketë aty te peshorja, dilte djath dhie. Kaçkavall i grirë shumë probleme, shumë i pistë, kaçkavall lope gjithë mbeturinat  që kthehen nga tregu pastroheshin nga myku, hidheshin në një tavë, aty i pastronim edhe i hedhim pastaj në tavë, pastaj i hidhnim për grirje. Pastaj e përzienim dhe një kaçkavall që ishte shumë i lirë që nuk mund të quhet kaçkavall, e merrte shumë të lirë atë për t’i ulur koston dhe e përziente me mbeturinat e tregut.

Një person i infiltruar i emisionit Stop shkoi në dyqanin ku tregtohen produktet e subjektit “Saranda Al” për të blerë këtë vaj.

Klienti – Vaj ulliri është ai?

Shitësja – Vaj sallate ai, i përzier. Më i miri është ky, në do tamam, fikse-fikse vaj ulliri.

Klienti – Sa lekë është ai?

Shitësja – Ajo është 375, 7 mijë është i madhi. Nëse e ke problem ashtu, merr më mirë të paktën ktë, është më i mirë se ai!

Klienti – Po pse, ça lidhje ka ai?

Shitësja – Ka, se ka më shumë përqindje vaj ulliri, e kupton?

Klienti – Hëëë…

Shitësja – Kurse ajo ka më shumë lulediell.

Klienti – Ngaqë kishte shenjën e ullirit edhe thamë.

Shitësja – Po ka ullirin ajo po, i thonë sallate. E kupton, sallate i bëjmë të dyja bashkë.

Klienti – Po kjo?

Shitësja – Edhe kjo ka përzierje, po ka më shumë ulli, sesa ashtu. (Te etiketa 35%ulli dhe 65 % vaj luledielli)

Klientja – Sa është ky?

Shitësja – Ky dy mijë e dyqind ky, ai është 1 mijë e 700-nd. Atë të paktën e ke tamam, pa hile, sa për ktë, ta jap me garanci e haj vetë, e di vetë.

Shitësja – Djathë dele, dhie apo lope?

Klientja – Dhie!

Shitësja – Dhie, ja ku i ke ktu 5 mijë më i liri, shumë i mirë.

Klienti – Sa është?

Shitësja – 5 mijë, 5 mijë e 500-nd!

Klienti – Kaq e lirë?

Shitësja – Po!

Klienti – Djathi i dhisë?

Shitësja – Po më po, si të doni! Provoje, provoje të keqen! Ne jemi të parët, që furnizojmë edhe të tjerët, prandaj jemi edhe më lirë. Ne furnizojmë gjithë Shqipërinë.

Shitësja – Ta bëj ktë?

Klienti – Ai është i dhisë?

Shitësja – Po dhie!

Klienti – Ok!

Klientja – Po ky 5, ky 5 mijë e 500-nd?

Shitësja – Po!

Klientja – Është më… pse është 5 mijë e 500-nd them, pse ky 5? A është djathë dhie, të dyja, apo?…

Shitësja – Po dhie, kjo është Gjirokastre, kjo është Erseke.

Klientja – Edhe pak kaçkavall!

Shitësja – Kaçkavallin e keni aty me copa, sa të dush ti!

Klienti – Kaçkavall i grirë!

Klientja – Ok! Bëjë ktë!

Shitësja – 5 mijë lekë fiks! Urdhëroni, faleminderit!

Klientja – Faleminderit!

Klienti – Mirupafshim!

Shitësja – Mirupafshim!

Një tjetër skandal përveç përzierjes së vajit të sallatës, është edhe djathi kaçkavall që tregtohet nga subjekti “Saranda Al”. Nga kamerat e fshehta shihet se si kaçkavalli i grirë prodhohet nga djathi i mykur, që pastrohet dhe grihet për t’u rihedhur në treg nga “Saranda Al”. “Stop” ka hyrë brenda ambienteve të magazinave të “Saranda Al”, duke faktuar krimin, që bëhet çdo ditë me shëndetin e qytetarëve. Po kështu, shihet qartë se si edhe djathi i lopës shitet si djath dhie nga subjekti “Saranda Al”, duke i ndërruar etiketat.

Eksperti Kapllan Sulaj shpjegon mënyrën sesi është rregulluar me ligj çështja e sigurisë ushqimore, duke filluar nga gjurmueshmëria e produktit, që nis me prodhuesin e deri në tavolinën e konsumatorit.

Eksperti Kapllan Sulaj: Për ushqimet gjurmueshmëria është hallka kryesore, këtij procesi i cili siguron mbartjen e informacionit nga lënda e parë deri tek produkti përfundimtar, deri te tavolina e konsumatorit dhe për këtë detyrimi ligjor u përket organeve inspektuese. Dhe për këtë kërkohet që produkti të gjurmohet që nga hyrja në doganë edhe deri tek produkti përfundimtar. Po këtu ka një sërë elementësh të gjurmueshmërisë. Në vendet e zhvilluara ky proces është më i plotë, më i organizuar, kurse në vendet në zhvillim dhe në vendet e varfëra procesi lë për të dëshiruar. Sepse dhe standardet e shoqërisë dhe standardet e tregtisë së ushqimeve janë më të ulëta. Por problem mbetet prodhimet artizanale dhe ato që prodhohen në njësitë e vogla të përpunimit nëpër kuzhinat, restorantet, të cilat pastaj është shumë e vështirë që të gjurmohen. Por nga na tjetër duhet treguar vëmendje nga organet inspektuese edhe për zbatimin mbi ligjin për etiketat. Etiketa është informacioni bazë mbi të cilat fillon edhe gjurmimi i produktit.

Kurse Granit Sokolaj, që drejton një OJF për mbojtjen e konsumatorit, shpjegon se AKU nuk ka laboratorë për analizat vjetore të kontrollit të tregut. Ligji ekziston, por shkelësit e tij dënohen shumë pak.

Granit Sokolaj: Doja të nisja në fakt me atë çfarë është më kryesorja në situata të tilla. Duke parë që ka njerëz të papërgjegjshëm pafundësisht, abuzues, mashtrues dhe që në fund të fundit të gjitha bien mbi ne si konsumatorë, mendoj që së pari Kodi Penal të jetë i drejtë për të gjitha dhe i barabartë. Sepse di që në vitin 2019 u bënë ndryshimet në Kodin Penal dhe për gjithë ata operatorë biznesi ushqimor dhe që abuzonin me sigurinë ushqimore, e cënonin atë dhe në këtë rast shëndetin dhe jetën e konsumatorit, ka gjobë deri në burgim deri në 2 vjet. Nëse një njeri abuzon me sigurinë ushqimore, të akuzohet në fund të fundit jo për aq sa parashikon Kodin Penal, por pse jo dhe genocid. Sepse nëse një njeri vret dikë dënohet me 30 apo me 35 vjet burg, një personi të tillë apo një operator biznesi na vret ne masivisht. Kështu që rasti konkret duhet me shumë vëmendje jo vetëm nga institucionet që kanë për detyrë garantimin e sigurisë ushqimore, por ato ligjzbatuese sepse është vërtetë i rëndë. Pastaj është detyra e AKU që të kontrollojë herë pas herë, ka një plan monitorimi apo plan marrje mostrash vjetorë për të analizuar produktet. Ky është problemi që sa ndodh kjo. AKU ka laboratorë në gjendje të mjerueshme. Janë afro 2.5 milionë Euro investime të BE për laborator dhe laboratoret e AKU nuk janë në gjendje t’i bëjnë. E dyta, duhet vullnet për t’i marrë këto mostra, për të zbatuar atë plan marrje mostrash, për të marrë mostra për t’i analizuar fundja në ISUV, i cili është edhe laborator reference, pra më i besueshmi i mundshëm në Shqipëri. Por kjo nuk ndodh sepse po të kishte ndodhur kjo, ose nëse ka ndodhur dhe nuk është bërë publike pastaj, sigurisht është skandal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *