Negociatat, Rama flet pas takimit me krerët e BE: Europianët të mos na i lënë topin në derë, të thonë të vërtetën

Kryeministri Edi Rama flet për mediat pas takimit me krerët e Bashkimit Europian dhe liderat e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel.

Rama tha se vlerësimi i Komisionit Europian për Shqipërinë do të jetë pozitiv, pasi vendi “i ka bërë të gjitha detyrat”.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Së pari unë jam plotësisht i fokusuar te ajo që duhet të jetë kurorëzimi i një përpjekje të gjatë dhe intensive, konferenca e donatorëve nesër. 

Dhe patjetër që kemi diskutuar edhe temat që ju pyesni. Por ajo që unë kam thënë dhe që them është se pavarësisht se çfarë do të vendosin miqtë tanë europianë, është mirë që së paku të fillojnë të thonë plotësisht të vërtetën dhe të mos mbetet gjithmonë si zakonisht topi në derën tonë. Kur faktikisht krosimi i gjatë dhe nxjerrja e topit nga fusha vjen si rezultat i diskutimit të brendshëm.

Sidioqoftë ajo që ka rëndësi është që ka një dakortësi për metodologjinë e re të vendeve anëtare, ka një përpjekje për një proces të rilindur të zgjerimit përmes një ecurie të vendeve kandidate jo vetëm mbi bazën e derisotme, por edhe mbi bazën e mbështetjes për sa i përket aspekteve financiare, kështu që do të shikojmë më tutje. Kemi rënë dakort që do të vazhdojmë një diskutim të brendshëm me presidenten e Komisionit, stafin e saj dhe të tjerët. Flas nga pikëpamja e të gjitha vendeve tona, për të dalë në disa konkluzione solide deri në samitin e Zagrebit.