Gjiknuri prezanton Teuta Ramaj, kandidatja çame në listën e PS, të pranishëm edhe ish-drejtues lokal të PDIU
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri shoqëruar nga kandidati për deputet Anduel Tahiraj dhe nënkryetari i bashkisë, Afrim Qendro, prezantuan kandidaten për deputete Teuta Ramaj, vajzë vlonjate e komunitetit çam e cila në këtë fushatë elektorale iu bashkua ekipit socialist, si kandidatja për deputete me numrin nëntë nën siglën e Partisë Socialiste.
Në fjalen e tij përshëndetëse Anduel Tahiraj pohoi se “Përpara se të jemi përfaqësues të komuniteteve që na përfaqësojnë ne jemi të gjithë vlonjatë. Jemi njerëz që e shohim çdo ditë zhvillimin e qytetit.Gjithë skuadra jonë është për të vazhduar ndryshimet në qytet. Në 25 prill, Vlora do të vendosë jo vetëm për fatin e saj por për fatin e të gjithë Shqipërisë. Ftojmë qytetarët që të mbështrësin PS, të mbështesin Teutën, për të vërtetuar se historia dhe gjithë ndryshimet e rëndësishme fillojnë nga Vlora”.
Gentian Hajrullai, përfaqësues i komunitetit çam falenderoi PS-në për mundësinë e përfaqësimit të komunitetit përmes kandidates për deputete, Teuta Rama.”Kauza Çame, problemet e komunitetit që ne kemi, përmes kandidaturës që Teutës do të mund të marrin drejtim. Falenderojmë PS-në që pas shumë vitesh realizoi një projekt për lagjen kume. Komuniteti ynë duhet ta mbështesë masivisht Teutën që dhe ne të kemi zërin tonë në parlament”.
Kandidatja për deputete, Teuta Ramaj në fjalën e saj përshëndetëse ju drejtua komunitetit çam. ’’Duke ju referuar problematikave të komunitetit, më është krijuar bindja se ky është hapi i duhur për të përfaqësuar komunitetin Çam. Ne nuk kemi shkuar dhe nuk shkojmë askund, adresa jonë e vetme është Çamëria, dhe rruga jonë e vetme është ajo që çështjen çame do ta çojë përpara”.
Kandidatja Teuta Ramaj theksoi se iu bashkua ekipit të PS-së pas mbështetjes që PS i jep komunitetit Çam dhe garancisë për të realizuar disa prioritete të ketij komuniteti: si sheshi i cili do të marrë emrin e një patrioti të shquar çam. Në Vlorë do të ngrihet muzeu i Çamërisë, qendra social- kulturore çame si dhe rritja e përfaqësimit të çamëve në Qarkun e Vlorës.
“Unë do të gjendem në Çdo institucion qëndror dhe lokal për të kërkuar për ju dhe për t’ju përfaqësuar juve duke gjetur zgjidhje për problematikat tuaja.”, theksoi kandidatja Teuta Rama.
Drejtuesi politik i Qarkut të Vlorës, Damian Gjiknuri në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se:”Kjo është mundësia e parë reale për të nxjerrë një përfaqësues të komunitetit çam. Me sistemin e sotëm zgjedhor, mjafton që ju të votoni Teutën, përfaqësimi juaj do të bëhej realitet. Teuta ka kandiduar dhe nën siglën e partive të tjera më parë por mundi dhe angazhimi i saj ishte i kotë, pasi të ardhurit nga Tirana, morën votat dhe nuk menduan më fare për ju. Me përfaqësimin e Teutës nën siglën e PS-së, ju keni mundësi ta unifikoni votën tuaj për të nxjerrë një deputete e cila me kandidaturën e saj do të jetë zëri i zgjidhjes së kërkesave dhe problemeve tuaja. Lista e PS-së ka marrë angazhim përfaqësimin e plotë të gjithë krahinës së Vlorës, me njerëz që jetojnë në Vlorë. Partitë e tjera i kanë sjellë nga Tirana kurse skuadra e PS-së është e përbërë nga njerëz që jetojnë, punojnë dhe i prekin realisht problemet tuaja.”
Gjiknuri u ndal në zonën e Kumes, një prej lagjeve ku jeton një numër i konsiderueshëm i komunitetit çam:” Problematikave te theksuara të pronësisë, qeveria aktuale po i jep drejtim duke ju bërë të ndjeheni ashtu siç jeni, qytetarë të Vlorës. Projekti i parashikuar përmes investimeve të shumta do të krijojë premisa të shumta zhvillimi dhe punësimi. Për herë të parë po përputhet emri i madh i Vlorës me investimet e mëdha. Ndryshimet dhe zhvillimi i nisur nuk duhet ndalur. Vlora po transformohet përmes projektit politik dhe ekonomik që vet Kryeministri ka vënë në zbatim. Është mundësia reale e të gjithëve për të vijuar më tej gjithçka e nisur, me mbështetjen e vazhdueshme të Kryeministrit. Shumë veta duan ta pengojnë këtë rrugë por ne të gjithë duhet të jemi të vendosur për të ecur përpara. Mbështetja e Teutës, si vajzë e komunitetit tuaj është garanci për familjen e madhë Çame, për t’ju dëgjuar zëri siç nuk ka ndodhur kurrë më parë. Vota për Teutën, është votë për të gjithë ju, për tu përfaqësuar denjësisht dhe konkretisht në parlament”, theksoi Gjiknuri.