Gjiknuri: Meta nuk ka besim te Basha, i trembet një marrëveshjeje më të madhe
Damian Gjiknuri tha se Ilir Meta po projektohet si lider i opozitës, duke mbajtur gjithmonë e më shumë anë në arenën politike, pasi nuk ka më besim te Lulzim Basha dhe i trembet një koalicioni PS-PD.
“Besoj që nuk do të kemi nevojë për ato mandate. Meta po fillon po projektohet si lider i opozitës. Siç duket nuk ka besim te Lulzim Basha. Ka kohë që punon për të tillë. Nuk ka më besim te lideri aktual i opozitës. Mendoj që PS nuk do të mbetet peng i mandateve të LSI-së. Nuk dua të spekuloj për të ardhmen, politika është një terren që lëviz, do të shihet vullneti i popullit dhe do të shohim. Mund të ketë edhe ndonjë marrëveshje më të madhe, që mbase i trembet Meta…”, tha Gjiknuri.
Në studion e “Absolut 4” deputeti socialist komentoi gjithashtu edhe marrëveshjen e nënshkruar sot mes Bashës dhe Kryemadhit, për një koalicion paszgjedhor. “Kjo marrëveshja PD-LSI duket një marrëveshje bosh. Nuk ka përmbajtje dhe nuk sjell as vota. Po të kishin këllqe do të dilnin në një listë. Janë njëlloj si në 2017, atëherë edhe shaheshin, tani kanë bashkuar dy grushtet”.