Bindja Demokratike prezanton kandidatët e saj në Vlorë, Patozi: Prej këtu u ndez flaka olimpike pastaj në gjithë Shqipërinë
Astrit Patozi e ka cilësuar sot Vlorën si shtëpinë e tij të dytë, duke theksuar rëndësinë, që ky qytet pati në krijimin e kësaj force politike.
“Kanë qenë dy qirinj të ndezur: një në Vlorë dhe një në Tiranë, të cilë më pas ndezën flakën olimpike në të gjithë Shqipërinë”, – u shpreh Patozi gjatë prezantimit të kandidatëve të Bindjes Demokratike për atë qark.
Ai tha se forcat e tjera politike, jo vetëm që nuk sjellin asgjë të re, por kanë bërë hapa të shëmtuar pas, duke komentuar përplasjet e deputetit demokrat në Elbasan, por edhe dorëheqjet në listat e Vlorës.
Patozi e ka cilësuar shumë të kompletuar ekipin, që drejton, ndërsa ka rikthesuar se Bindja Demokratike ka si synim të jetë forcë përcaktuese qeverisëse në këto zgjedhje, duke renditur tre shtyllat mbi të cilat bazohet strategjia politike e saj. Sipas tij, ato janë programi, integriteti, pastërtia e figurave, si dhe barazia mes kandidatësh, duke përfshirë këtu listat e hapura, si risia e zgjedhjeve të 25 prillit.
Më tej fjalën e ka marrë koordinatori i Bindjes Demokratike për Vlorën, Ardi Kollozi, i cili ka shprehur besimin për fitore të kësaj gare politike në Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë.
Kollozi ka vlerësuar ekipin e Vlorës si më të mirët, ndërsa ka theksuar se tashmë qytetarët vlonjat dhe gjithë shqiptarët, e kanë të qartë se Bindja Demokratike është alternativa politike e duhur.
Më tej kanë vijuar të tjera takime në Vlorë, për t’u ndalur edhe në qytetin e Sarandës dhe prezantimin e kandidatëve të Bindjes Demokratike në këtë qytet.