Ilir Meta nderon Armand Hysin me Titullin “Për merita të veçanta civile”

Presidenti Ilir Meta, i cili ka vizituar ditën e djeshme qytetin e Sarandës dhe ku ka marrë pjesë edhe në dorëzimin e Titullit “Për merita të veçanta” akorduar Armand Hysit, ka shkruar edhe për mbresat pas largimit nga qyteti:

“Të gjithë duhet ta duam më shumë Sarandën, ta mbrojmë dhe ta promovojmë, sepse ky qytet i mrekullueshëm, nuk u përket vetëm sarandiotëve, por të gjithë shqiptarëve.

Sot ky apel është edhe më i rëndësishëm se asnjëherë tjetër për të rinjtë e qytetarët e Sarandës, që aq shumë është dëmtuar nga “virusi i babëzisë” dhe është prekur nga shpopullimi.

Një kontribut të paharruar për zhvillimin e këtij qyteti, duke lënë pas një trashëgimi të pasur, me studime e publikime në fushën ekonomike, ka dhënë edhe Dr.Armand Hysi, një emër i nderuar dhe i vlerësuar nga qytetarët e Sarandës, si një intelektual i rrallë e human, i cili ndihmonte qytetarët në nevojë dhe nuk kursehej të mbështeste kauzat sociale të rëndësishme.

Në nderim të punës shumëvjeçare si pedagog e kërkues shkencor, duke dhënë një ndihmesë të madhe për zhvillimin cilësor ekonomik e social të Sarandës, pata kënaqësinë ta vlerësoj me Titullin e lartë ‘Për merita të veçanta civile’.

Kemi nevojë të vlerësojmë sa më shumë figura të tilla, që i shërbejnë komunitetit dhe mbeten një model frymëzues i përhershëm solidariteti, humanizmi, por edhe progresi shoqëror”