Delvinë, goditi arbitrin në kokë, arrestohet 30- vjeçari
Kapet dhe ndalohet 30-vjeçari i shpallur në kërkim për veprat penale “Goditje e sportistit, trajnerit, arbitrit” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Delvinë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin:
A. H., 30 vjeç, banues në Delvinë, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Goditje e sportistit, trajnerit, arbitrit” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi në datën 19.12.2020, gjatë zhvillimit të një ndeshjeje në Delvinë, ka hyrë në fushë dhe ka goditur me sende të forta në kokë arbitrin e ndeshjes, shtetasin E. P.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme procedurale.