Sarandë, një sprovëz e bukur nis udhë për të rikthyer traditën

Permes një sprovëze te bukur për të rikthyer traditën, Saranda zgjodhi se fundi të zgjojë dhe edukojë dëshirën për lexim dhe për qarkullimin e librit.

Në hollin para ndërtesës së Bashkisë tani ju pret “Shtëpizën e Librit”, ku shkruhet sllogani: “Sill një libër, merr një libër”. Nuk munguan ne diten e pare edhe autorë sarandiotë që dhuruan botimet e tyre, duke pasuruar kështu Shtëpizën e Librit.

Shtëpiza e Librit erdhi si inciativë e ambicies së kryebashkiakut Adrian Gurma, për t’iu afruar edhe Saranda praktikës shumë të njohur të botës së qytetëruar, që librin dhe leximin e ka pjesë të përditshmërisë.

Vangjel Xhani, një guidues me shumë përvojë, që shoqëron prej tri dekadash grupe të turistëve të huaj në atraksionet e Sarandës dhe pergjithesisht Jugut te Shqiperise, dritaret e Shtëpizës së Librit, i krahason me një ekran të kulturës dhe dijes.

Per Shtëpizen e Librit nuk ka te vonuara, Ajo “i pret” te gjithe që gjejnë kohë dhe i drejtohen asaj me një libër nën sqetull, për ta lënë atje e për të marrë që andej një tjetër libër, të palexuar.

Është e vetmja “shtëpi” pa çelës, e cila qëndron e hapur për këdo, si një market kulture. Edhe si një ftesë dhe qortim që librin në këto dekada e kemi larguar disi, duke e tepruar me televizorin, me celularin, me ipadin dhe kulturimin dixhital.

Bashkia thote se “Shtëpiza e Librit” ka rrugë për të bërë: nga qendra e Bashkisë, në lagjet e Sarandës, në shkolla e pranë dyerve të marketeve dhe pranë bizneseve të mëdha turistike.

Në itinerarin e saj nuk mund të mos jetë Ksamili e pse jo edhe fshatrat pjesë e territorit të Bashkisë së Sarandës.Nisma kulturore “Sill një libër, merr një libër”, synon të na kujtojë e afrojë më shumë me librin, të ngrohë dëshirën për leximin dhe t’i kthehemi miqësisë me librin.