Projekti i radhës në Sarandë, ndërtimi i rrugës nr.1, Lëkurës-Sarandë

“Ndërtimi, asfaltimi dhe rrjeti inxhinierik i rrugës nr.1, Lëkurës-Sarandë”

Rrethi i Sarandës shtrihet në skajin më jugor të Shqipërisë me një sipërfaqe 732 km² dhe rreth 41 000 banorë. Saranda kufizohet me Delvinën, Vlorën dhe Gjirokastrën dhe lidhet me Greqinë përmes kufirit tokësor dhe detar. Rajoni jugor në tërësi dhe zona përreth Sarandës në veçanti dallohet për pasuri të pashfrytëzuara natyrore, si dhe një rajon me vlera kulturore e monumentale te antikitetit, me potenciale e resurse të mëdha për zhvillimin e turizmit kulturor, historik e natyror.

Objekti për të cilin po bëjmë këtë studim është një nga rrugët kryesore të zonës së ndërtimeve, hotel Turizëm – Kanali i Çukës. Ajo fillon tek nënstacioni i vjetër elektrik dhe përfundon te takimi me rrugën Sarandë-Butrint, tek Kanali i Çukës me një gjatësi rreth 2425m. Territori eshte mjaft mire i ekspozuar ndaj diellit dhe veçoritë klimaterike që shfaq kjo zonë janë të përshtatshme e të shfrytëzueshme, për trajtimin e objekteve me karakter banimi dhe shërbimi.

Projekti synon të krijojë mundësi lehtësuese për një shërbim publik bashkëkohor, lehtësimin e qarkullimit të mjeteve që do të hyjnë në qytet dhe me përfitime të drejtpërdrejta në lidhje me mundësitë për punësim, të cilat krijohen si gjatë fazës së zbatimit ashtu edhe gjatë fazës së operimit. Kjo e fundit rrjedhimisht do të pasojë me përmirësimin e kushteve të jetesës.

Ky projekt është ndarë në dy faza:

Faza e parë: Në këtë fazë përfshihet hapja e trasesë, ndërtimi i murit mbajtës si dhe ndërtimi i shtresës profiluese me çakëll.

Faza e dytë përfshin:

  • Ndërtimi i kanalizimeve të ujërave të bardha/të zeza
  • Ndërtimi i trotuarëve në të dy anët e rrugës
  • Ndriçimi i rrugës
  • Shtrirja e tubacionit në gjithë gjatësinë e rrugës
  • Ndërtimi i ujësjellësit
  • Gjelbërimi (duke shfrytëzuar bimësi të zonës)
  • Sinjalistika
  • Shtresat e rrugës

Plani i Menaxhimit Mjedisor përveç aktiviteteve, fazave të projektit dhe masat lehtësuese për çdo ndikim, parashikon edhe takime të vazhdueshme me publikun me qëllim informimin për mënyren e kryerjes së punimeve, natyrën dhe grafikun e tyre.