Flamur Golemi: 10 milionë euro financime në Gjirokastër
Qyteti i gurtë i Gjirokastrës, falë investimeve të kryera është kthyer në një nga pikat kryesore të turizmit në vend.
Gjirokastra po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve.
Megjithëse 2020 ishte një vit të vështirë, për shkak të pandemisë, sërish në bashkinë e Gjirokastrës u realizuan mjaft investime të rëndësishme si përsa i përket zhvillimit social-ekonomik ashtu edhe rritjes së cilësisë së jetës për komunitetin.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, në një intervistë për ATSH-në ka folur për një sërë projektesh infrastrukturore si në qytet edhe në zonat rurale, të cilat kanë përmirësuar jetën e banorëve të këtij qyteti, si dhe investimet për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit, jetës sociale dhe kulturore në Gjirokastër.
“Krahas investimeve të realizuara me të ardhurat lokale, mbështetje kryesore për konkretizimin e tyre, ka qenë bashkëpunimi me qeverinë qendrore, ndërsa janë financuar rreth 10 milionë euro për zbatimin e projekteve të ndryshme”, theksoi Golemi.
Kryebashkiaku i Gjirokastrës shprehet se kemi përfituar financime edhe nga programet e Bashkimit Europian.
“Investimet e zbatuara përgjatë 2020 përfshijnë rehabilitimin e infrastrukturës rrugore, godinat shkollore, rikonstruksionin e objekteve social-kulturore, nxitjen e turizmit, agropërpunimit dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për komunitetin si në qytetin e Gjirokastrës ashtu edhe në njësitë administrative. Një prej projekteve madhore është ndërtimi i ujësjellësit të ri të qytetit, i cili do të siguroje furnizimin 24 orë më ujë të pijshëm, për të vazhduar me rikonstruksionin e teatrit “Zihni Sako”, një investim i munguar prej gati tre dekadash. Gjithashtu kemi investuar për rikonstruksionin e godinave të shkollave “ Çajupi”, “Koto Hoxhi”, gjimnazit “Asim Zeneli”, etj”, – nënvizoi Golemi.
Për kryetarin Golemi , një projekt i rëndësishëm ka qenë përdorimi me efiçensë i energjisë ndërsa është mundësuar një sistem ndriçimi bashkëkohor me llampa LED në qytetin e Gjirokastrës por edhe rehabilitimi i tij në njësitë administrative.
“Projekte të rëndësishme të zbatuara në bashkëpunim me qeverinë kanë qenë ato për restaurimin dhe rijetëzimin e vlerave muzeale të Pazarit karakteristik, Kalasë së gurtë, etj si edhe monumenteve të kulturës në njësitë administrative dhe vendosjen e tyre në shërbim të zhvillimit të turizmit”, – shtoi Golemi.
Në vëmendje ka qenë edhe nxitja e sektorit të bujqësisë dhe agropërpunimit, ku bashkia ka realizuar investime në mbështetje të fermerëve në sipërfaqet bujqësore.
Kryetari Golemi thekson se “krahas ndërhyrjeve të vazhdueshme në infrastrukturën rrugore ndër investimet e rëndësishme në fshatra do të veçoja ndërtimin e ujësjellësit te ri në fshatin Lazarat. Gjithashtu rëndësi i është kushtuar edhe mbrojtje së mjedisit dhe vlerave natyrore duke bashkëpunuar me disa ambasada të huaja në vendin tonë, në kuadër të programeve të Bashkimit Europian”.
I pyetur se sa prej këtyre projekteve u realizuan gjatë këtij viti, kryebashkiaku Golemi shprehet se “pjesa më e madhe e projekteve të parashikuara përfunduan zbatimin përgjatë këtij viti, ku realizimi i investimeve publike llogaritet në masën 87 %. Për vetë specifikën e tyre ka disa projekte për të cilat do të vazhdojnë punimet edhe gjatë 2021 siç është ai për ndërtimin e ujësjellësit të ri të Gjirokastrës, rikonstruksionin e teatrit “ Zihni Sako”, etj”.
Por, shton Golemi, kemi qenë të angazhuar që megjithë vështirësitë e shkaktuara nga pandemia të përfundojmë në kohë investimet kryesore publike duke mos lënë pas dore edhe punimet mirëmbajtëse në sektorë të ndryshme apo shërbimet publike në tërësi për komunitetin.
“Banorët kanë shprehur vlerësimin për investimet publike të zbatuara, përgjatë këtij viti, pasi kanë prekur rezultatet e tyre në rritjen e cilësisë së jetës për komunitetin dhe zhvillimin turistik dhe social-ekonomik të Gjirokastrës si një qendër e rëndësishme në Jug të vendit”, – tha Golemi.
Duke folur për projektet e bashkisë për 2021, Golemi bëri të ditur se “në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, miratuam buxhetin lokal 2021 i cili synon dyfishim të investimeve publike ndërsa vazhdojmë të ulim shpenzimet për paga, sigurime shoqërore dhe shpenzimet operative. Krahas mbështetjes së pakursyer të qeverisë qëndrore, përfitojmë financime edhe nga programet e BE-së. 82 milionë lekë llogaritet vlera e fondit për të konkretizuar investimet e reja”.
“Do të rikualifikohet hapësira urbane përreth stadiumit “Gjirokastra” duke e shndërruar në një ambient rekreativ në shërbim të qytetit, larg asaj që shohim sot. Rikonstruksionin e Teatrit “Zihni Sako”, ku po punohet, do ta përfundojmë me shumë mundësi në pranverë të vitit të ardhshëm. Ndërkohë që dy projektet madhore, që presim të fillojmë gjatë 2021, me mbështetjen direkte të qeverisë, janë rehabilitimi i Sheshit “Çerciz Topulli” dhe ndërtimi i parkimit nëntokësor, si dhe Bypassi që nis nga Ura e Nanxës”, – tha Golemi.
Gjithashtu, vijoi ai, investime të rëndësihme kemi planifikuar edhe në njësitë administrative ku do të rikonstruktohet rruga e fshatit Picar, do të rehabilitohen disa kanale vaditëse në zonat rurale për të ndihmuar fermerët, si dhe do të ndërhyjmë në Urën e Subashit.
Kryetari Golemi u shpreh se “investime të tjera të vogla do të ketë në rrugët rurale të disa fshatrave.Kemi programuar investime të rëndësishme në të gjithë sektorët duke përfshirë edhe sportin, që është një ndër përfituesit kryesorë të buxhetit, me financimin 10 milion lekë për AF Luftëtari si dhe investimet në stadiumin “Gjirokastra”, Fushën e Vjetër dhe Pallatin e Sportit”.
“Kantieret që do të hapim gjatë 2021 janë shumë të rëndësishme për të përmirësuar më tej jetën e banorëve, për të krijuar vende të reja pune, për të nxitur investime të reja dhe për të ndihmuar perspektivën zhvillimore të Gjirokastër, si një pol i rëndësishëm turistik në jug të vendit”, – tha Golemi.
Sa i përket sezonit turistik të këtij viti, Golemi tha se “pandemia krijoi vështirësi për ecurinë e suksesshme të turizmit përgjatë këtij viti në Gjirokastër, ashtu siç patëm një bum vizitorësh në 2019. Megjithatë sërish qytetit të Gjirokastrës dhe rrethinave nuk i kanë munguar turistët vendas dhe të huaj”.
“Janë rreth 60 mijë turistë, të cilët kanë vizituar monumentet e kulturës dhe komplekset muzealë. E veçantë përsa i përket turizmit këtë vit kanë qenë fundjavat madje me kënaqësi mund të pohoj se Gjirokastra ka qenë destinacion turistik i preferuar. Gërshetimi i vlerave muzeale, traditës së larmishme me aktivitetet kulturore të organizuara nga bashkia ka tërhequr një numër të konsiderueshëm vizitorësh gjatë fundjavave, duke qënë edhe mbështetje për sektorin e turizmit dhe zbutjen e efekteve negative që shkaktoi pandemia”, – tha Golemi.
Sipas tij, interes përgjatë këtij viti nga turistët ka patur edhe për të vizituar muzeumet megjithëse në shifra të ulta krahasuar me vitin paraardhës.
“Janë rreth 33 mijë turistë të cilët kanë vizutuar Kalanë e gurtë dhe vlerat historike të saj. Interes ka patur edhe për të vizituar Muzeun e Armëve, Muzeun Etnografik, “Shtëpinë Kadare” apo sitet e trashëgimisë kulturore në rrethinat që kanë mirëpritur turistë vendas dhe të huaj. Ne si bashki kemi siguruar mirëfunksionimin e muzeumeve, ndërsa synojmë rivitalizimin e tyre në përputhje me standardet bashkëkohore të zhvillimit të turizmit”, – tha Golemi.