VIDEO/ Kristaq Kiço: Minoriteti grek do të vaksinohet, do të ikin në Greqi ata që përfitojnë nga sigurimet shëndetësore

Minoriteti grek që jeton në Shqipëri, do të mund të marrë vaksinën anti-COVID në Greqi.

Të gjithë ata që janë përfitues nga sigurimet shëndetësore në shtetin helen, do të vaksinohen njëlloj si shtetasit grekë.

Por, për të marrë këtë shërbim, ata do të duhet të udhëtojnë drejt Greqisë, pasi kushtet specifike që kërkon mbajtja e vaksinës, nuk e lejojnë transportin e saj.

Për procesin e vaksinimit kryetari i Bashkisë së Finiqit, Kristaq Kiço u shpreh në Euronews Albania se do të jetë në kontakt me autoritetet greke për procesin e vaksinimit të minoritarëve.

“Jemi akoma në fillim të këtij procesi të shumëpritur për të gjithë popullsinë. Dihet që dje filluan vaksinimet e para në Greqi, në muajt në vijimin, në janar dhe shkurt do të marrin vaksinën sipas prioriteteve të përcaktuara nga ministria e Shëndetësisë. Bëhet kërkesa në sistemin online nga të gjithë dhe secili merr përgjigjen se ku dhe kur do të vaksinohet. Do të fillojë me pensionistët dhe më pas do të vazhdojë me pjesën tjetër të popullsisë. Kjo procedurë do të vazhdojë për 6 mujorin e parë. Gjatë kësaj periudhe ne do jemi në kontakt me autoritetet për të marrë vaksinën dhe të minoritarët”, u shpreh ai.

Mendohet që procesi i vaksinimit për minoritarët të fillojë rreth muajit mars.