Mjeku nga Gjirokastra rëndë me Covid, Manastirliu: Qeveria do të paguajë kurimin e tij në Itali

Ministrja Ogerta Manastirliu ka bërë me dije se qevria shqiptarë do të paguajë kurimim e doktor Drini Dobit nga Covid-19, i cili një ditë më parë u nis me urgjencë drejt Italisë.

Përmes një statusi në rrjetet sociale, Manastirliu shkruan se tashmë qeveria ka marrë përsipër të bëjë detyrën që i takon, në financimin e kurimit të bluzave të bardha.

Ministrja shton gjithashtu se ka komunikuar vazhdimisht me familjen e doktorit në Itali dhe i uron atij shërim të shpejtë.

“Kam një falënderim për të gjithë ata qytetarë dhe kolegë, të cilët janë solidarizuar me doktor Drini Dobin, sot kur ngrohtësia e mirënjohjes për kontributin human dhe profesional është kaq e rëndësishme në luftën kundër sëmundjes. Doktor Drini luftoi me Covid-in dhe lufta e tij për jetën po vazhdon për arsye të komplikacioneve të mëtejshme.

Personalisht kam qenë në komunikim të vazhdueshëm me familjen e doktor Drinit dhe me mjekët që po ndjekin trajtimin për problemin e komplikuar shëndetësor të tij.

Qeveria shqiptare ka marrë përsipër ta mbështesë financiarisht kurimim e doktor Drinit, deri në shërimin e tij të plotë. Forca Doktor Drini!”- shkruan Manastirliu.

Doktor Dobi u nis një ditë më parë me urgjencë drejt Italisë.

Të dhënat e llogarisë bankare të gruas së mjekut, Forida Dobi, qarkulluan dje në të gjitha mediat, pasi familja e tij kërkonte ndihmë financiare për përballimin e kurës në Itali.

Siç duket, një ditë pas lajmeve, qeveria ka kuptuar rolin.