Kthimi i emigrantëve/ Kakavijë, 1434 hyrje-dalje në kufi
Në pikëkalimin e Kakavijës kemi një ritëm të shtuar të qytetarëve që po vijnë në Shqipëri për të festuar me familjet.
Në një mesatare ditore llogariten gati 1000 qytetarë që po hyjnë çdo ditë të drejtuar në rrethe të ndryshme të vendit ndërsa qytetarët në dalje janë rreth 400 vetëm gjatë ditës së sotme. Shkëmbimet dhe hyrje-daljet janë gati 10 herë më të ulëta krahasuar me një vit më parë por kjo është edhe rezultat i kufizimeve për shkak të Covid-19.
“Kam ardhur për herë të dytë këtë vit pas 9 vitesh nga Korinthi. Erdha në verë dhe tani do festojmë me familjen. Kemi frikë se korona është akoma, por tani duhej të vinim”, shprehet dikush.
“Unë jam nga Librazhdi. Erdhëm do festojmë me familjen, do rrimë një javë dhe do ikim prapë. Shpresojmë që vitin tjetër do bëhet më mirë. Unë nuk besoj fare te ky virusi”, deklaron një tjetër.
Ata që po mbërrijnë po drejtohen në qytete të ndryshme të vendit përmes shërbimit taksi, ndërsa taksistët thonë se kërkesa ka qenë minimale krahasuar me vitet e kaluara.
“Njerëzit nuk kanë ardhur, tremben nga virusi. Bëjmë një rrugë në ditë ose asnjë rrugë”.
Që prej datës 15 dhjetor, autoritetet kanë evidentuar 7 raste të personave të infektuar me Covid-19, që kanë hyrë prej pikëkalimit të Kakavijës.
Në raport me muajin nëntor, ku vetëm qyteti i Gjirokastrës regjistronte 500 raste të infektuarish me Covid-19, tashmë për të gjithë qarkun e Gjirokastrës kemi një situatë prej 250 rastesh aktive, shifër disa herë më e ulët krahasuar me muajin nëntor.