DETAJET/ Çfarë fshihet pas identitetit të rremë të vajzës me pesë emra nga Shalësi i Sarandës
Protesta e mbrëmjes së djeshme për vrasjen 25-vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi i policisë Nevaldo Hadëraj, krahas zhvillimeve të shumta shënoi edhe një episod i cili u bë kryelajm i mediave elektronike dhe atyre audio-vizive.
Një vajzë, me një flamur shqiptar në dorë, u shfaq krejt e qetë krah reperit Arkimed Lushaj, apo I njohur si Stresi, duke u prezantuar si e motra e Klodian Rashës.
Fill pas thirrjeve të saj që kërkonte “Drejtësi për vëllain”, disa prej mediave zhvendosën objektivin e kameras, nga Lushaj te ajo.
“Kërkoj drejtësi për vëllain tim, ne duam të drejtën për çfarë arsye është vrarë. Ka qenë djalë shumë i rregullt, nuk ka pasur armë. Kërkoj të dorëhiqet Edi Rama dhe Sandër Lleshaj, kërkoj mbështetje sa më shpejt. Nuk e prisja kur kam marrë vesh se vëllai im është i vrarë, më thoshin se është arrestuar, kur ma kanë sjellë jam tronditur”, u shpreh ajo mbrëmjen e djeshme duke bërë xhiron e të gjitha portaleve në Shqipëri dhe përtej saj.
Ndërkohë, ngjarja u bë akoma edhe më e rëndë kur u raportua se asaj i ra të fikët gjatë tubimit, ku disa prej mediave të lidhura ngushtësisht me opozitën akuzuan policinë e shtetit se po dhunonte të afërmen e viktimës që po protestonte. Për të mos mjaftuar kjo, zëri i këtyre mediave u përforcua edhe nga reagimet e menjëhershme të përfaqësuesve të lartë të opozitës të cilët akuzonin qeverinë “Rama” lidhur me gjendjen e vajzës.
Teksa ngjarja sa vinte dhe bëhej më e ethshme për shkak të dinamikave të njëpasnjëshme, familjarët e Klodian Rashës, duke ndjekur pasqyrimet televizive reaguan duke kontaktuar përfaqësuesit e mediave. Ata njoftuan se nuk kanë asnjë lidhje me vajzën dhe se gjithçka bëhet fjalë për një mashtrim.
Kjo u përforcua më vonë edhe nga vetë babai i viktimës i cili nënvizoi që nuk merret me politikë dhe se shfaqja e turpshme e vajzës në media ishte një marrëzi që rëndonte barrën e dhimbjes për ta.
Menjëherë pas kësaj dëshmie, mediat vizituan sërish banesën ku jeton e reja, nga ku ajo përgënjeshtroi identitetin e prezantuar më herët, duke thënë se nuk ishte motra biologjike, por bashkëshorti i saj kishte qënë shok fëmijërie me viktimën.
Kjo ishte edhe gënjeshtra e radhës pasi aktualisht vajza në fjalë rezulton beqare dhe se janë të paqarta motivet që e shtynë atë të ndërmerrte këtë gënjeshtër të madhe publike.
Një nga hipotezat që është lakuar më së shumti në media, është se e reja mund të jetë shfrytëzuar nga këngëtari Arkimed Lushaj (Stresi).
Emrat që u prezantua e reja dhe i ndryshoi pas çdo dëshmie:
1. Bora Rasha
2. Bukuroshe Salliu
3. Bukuroshe Murati
4. Bukuroshe Haruni
5. Bukuroshe Sali
Po cila është vajza e shfaqur në protestë?
Gazeta “TemA” bëri një kërkim të hollësishëm në bllokun e gjendjes civile dhe asnjë prej emrave me të cilat ajo u prezantua nuk rezulton i përputhur me identitetin e një personi konkret.
Nga një analizë të postimeve të saj në rrjetet sociale, e reja duket se nga fshati Shalës i Sarandës dhe se shumë shpesh udhëton drejt qyteteve të tjera për motive ende të panjohura.