BE çeli negociatat me Shqipërinë, reagojnë ambasadorja amerikane, Meta dhe Basha

Ministrat e BE ranë dakord të fillojnë bisedimet e shumëpritura të anëtarësimit në Bashkimin Europian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, thanë burime në Bruksel për agjencinë gjermane të lajmeve, DPA.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimin Europian kanë rënë dakord njëzëri në mbledhjen e sotme online që të japin dritën jeshile për çeljen e bisedimeve me Bashkimin Europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Një lajm i tillë është konfirmuar edhe nga Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili thekson se ky vendim është një mesazh i rëndësishëm për dy vendet që e ardhmja e tyre është në Bashkimin Europian.

“Shumë i kënaqur që vendet anëtare të BE-së arritën sot  një marrëveshje politike për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Unë i uroj me gjithë zemër të dy vendet. Ky është një mesazh se Ballkani Perëndimor: E ardhmja juaj është në BE”, shkruan ai.

Komisioni Europian ka gjykuar prej një kohe të gjatë se Shkupi dhe Tirana ishin gati për negociatat e pranimit, pas ndërmarrjes së reformave demokratike dhe, në rastin e Maqedonisë së Veriut, duke ndryshuar emrin e vendit për të zgjidhur një mosmarrëveshje me Greqinë fqinje.

Por, në tetor, Franca në veçanti, vendosi veton në minutën e fundit, duke këmbëngulur për reforma të mëtejshme dhe një rregullim të procesit të pranimit në BE.

Ministrat e BE për Çështjet Europiane më në fund dhanë miratimin sot, pasi ambasadorët e bllokut hoqën pengesat përfundimtare për të hapur bisedimet e pranimit.

Vendimi zyrtar duhet të merret në një procedurë me shkrim të përshtatur për shkak të kufizimeve të koronavirusit.

Brukseli përdor perspektivën e anëtarësimit për të inkurajuar reformat demokratike në këto vende.

Zyrtarët e BE paralajmërojnë se vende të tilla si Rusia dhe Kina po kërkojnë të kenë ndikim në rajon.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Presidentit Ilir Meta.

POSTIMI I PRESIDENTIT ILIR META

Përshëndes vendimin e sotëm politik të Këshillit të Ministrave të BE që konfirmoi qartë perspektivën europiane të Shqipërisë duke miratuar çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE.

Falenderoj të gjitha shtetet anëtare për këtë vendim inkurajues, që gjeti vend në axhendën europiane, pavarësisht momenteve shumë të vështira që po kalojmë çdo njëri prej nesh!

Asnjë minutë nuk duhet humbur për të zbatuar sa më parë secilin prej kushteve që i paraprijnë konferencës ndërqeveritare për nisjen e negocimit të kapitujve!

POSTIMI I PLOTE I BASHËS

Vendet anëtare të BE-së dëshmuan sot se e mbështesin Shqipërinë dhe shqiptarët me shprehjen e vullnetit për të hapur negociatat. Tani gjithçka është në dorën tonë për të përmbushur të gjithë kushtet e vendosura për nisjen e tyre. Sa më shpejt të plotësojmë detyrimet aq më parë do të bëjmë realitet ëndrrën e shqiptarëve. ????????????????
#ditemetemira

POSTIMI I PLOTË I AMBASADORES KIM

Në një mesazh në ‘Twitter’, Kim thekson se SHBA do të vijojë të mbështesë reformat e vendit dhe hapat e tjerë të nevojshëm për të arritur anëtarësimin në BE.

Vendimi i Bashkimit Europian për të hapur bisedimet e pranimit tregon se Shqipëria pasqyron punën e palodhur nga qeveria shqiptare dhe të qytetarëve. SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht reformat dhe hapat e tjerë të nevojshëm për të arritur anëtarësimin. Urime dhe suksese!”, shkruan ambasadorja.