Denoncimi gjysmak i PD Sarandë për Adrian Gurmën dhe keqpërdorimi i të rinjve si kopje e shëmtuar e politikës së vjetër
Partia Demokratike në Sarandë bëri të martën një gjysmë denoncim për kryebashkiakun Adrian Gurma. Ne s’do t’i kushtonim vëmendje kësaj ngjarje pasi denoncime të tilla gjysmake ka plot në Shqipëri dhe në shumicën e rasteve bëhen thjesht sa për retorikë.
Por dy elementë na bënë përshtypje. Së pari, shumë mirë që ishte zgjedhur Dita e Rinisë, por vajza që kishte dalë në foltore fliste me gjuhën e Saliut dhe të ngjashmëve të tij si të ishim ende në fillim të viteve ’90.
Me siguri nuk është faji i saj për çfarë ishte shkruar në letër sepse mund t’ia kenë bërë të tjerë, por ajo kishte në dorë të refuzonte të recitonte dhe të mos bëhej pjesë një cirku banal që dëmton në radhë të parë vokacionin e saj politik dhe ambicjen për të ecur përpara në karrierë.
Më mirë mos dil fare, sesa të shfaqesh e të vësh në gojë gjëra që as i kupton e as nuk i beson dhe vetë.Lajm shumë i mirë kur sheh të rinj që angazhohen në politikë, por për të ardhur keq kur para kamerave flasin me një gjuhë të vjetër që s’ka lidhje as me kohën kur jetojmë dhe as me mënyrën si duhet ata t’u qasen problemeve dhe si të bëjnë pas vetes qytetarët. “Bashkia moniste” thotë vajza, fiks si frazat e Lulit dhe Saliut. Le më pastaj që dikush duhet t’i thotë se të paktën në Bashkinë Sarandë më 30 qershor 2019, Gurma nuk kandidoi i vetëm, por kishte përballë edhe kandidatin që më pas ishte pjesë e listave të PD-së në procesin alla “Big Brother” për deputetë e kryetarë bashkie. Me siguri që e reja nuk e kupton dhe as çfarë është Plani i Përgjithshëm Vendor, thjesht i kanë venë para copën e letrës dhe duhet ta lexojë.
Së dyti, në deklaratë flitet për “klanin mafioz” të kryetarit të bashkisë, flitet për “korrupsion”, për “veprime mafioze” dhe “mbrojtje të oligarkëve”, por pa dhënë asnjë emër, pa paraqitur asnjë fakt e argument bindës.
Si mund të bëhet e besueshme opozita si alternativë qeverisëse kur nuk guxon t’u shkojë deri në fund këtyre denoncimeve? Pse nuk i përmend kush janë këto “klanet dhe veprimet mafioze” që kanë kapur Adrian Gurmën? Cilët janë oligarkët, interesat e të cilëve ai po mbron sipas PD-së, kur është fjala të ndryshimi i Planit të Përgjithshëm Vendor?
PD nuk thotë asgjë nga këto, prandaj nuk mund të jetë e besueshme dhe është mjerim i madh kur shikon të rinj si kjo vajza që përdoren nëpër foltore, për të recituar letrat që i shkruajnë të tjerët.
Pikërisht se këta të rinj nuk kapërcejnë dot batakun e politikës së vjetër që mban peng Shqipërinë, është vështirë të shpresosh se do të kemi një klasë më të mirë politike. Këta ‘vdesin’ të kopjojnë Saliun, Lulin, Monën, Metën e Ramën a thua se këta janë modelet për t’u marrë shembull. Video më poshtë i thotë të tëra. /Argjirolajm/