Turizimi i vitit 2021, flet Arben Çipa nga Shoqata e Hotelierëve në Sarandë

Prezenca disamujore e Covid-19, cdo ditë po i hedh poshtë parashikimet sesi do të jetë ecuria e zhvillimeve ekonomike në vend. Teksa ka një shpresë për kurën shëndetësore, ekonomia globale duhet të gjejë një antidot për të kuruar plagët që ka sjellë pandemia. Përqëndruar në ecurinë kombëtare, turizmi, ndonëse u duk se pati sinjale pozitive gjatë pikut të sezonit, sërish kostot përkundër fitimit janë dominuese.

Të dhënat e INSTAT treguan se për 10 mujorin, hyrjet e shtetasve të huaj në territorin shqiptar janë 2.3 milionë. Krahasuar me të njëjtën periudhë 2019, hyrjet kanë rënë me 50%.

Teksa askush nuk e di se ç’do të ndodhë nesër, javën apo vitin tjetër, ekonomisë i duhet të “mbijetojë”, edhe pse bilancet shënojnë vetëm vlera negative. Për këtë arsye, mbështetja duhet të jetë strategjike dhe me fokus kryesor shpëtimin e kapitalit njerëzor në sektorin e shërbimeve.

Pavarësisht pandemisë, agjencitë e huaja kanë negociuar me tur-operatorët shqiptarë kontratat për verën e vitit 2021, duke lënë si kusht rishikimin në mars. Niveli i rezervimeve është në shifrat e 2019-s, duke dhënë shpresë për rikuperim të shpejtë të sektorit, nëse risku i COVID-19 kalon. Strukturat hoteliere shprehen se Kosova ishte tregu që mbajti në këmbë sektorin dhe strategjia e tyre e marketimit, që prej vitesh ishte larguar nga turizmi patriotik, do të ndryshojë duke u gërshetuar. Bjellorusët dhe ukrainasit, të vetmit që udhëtuan spontanisht drejt Shqipërisë, pasi nuk u lejuan në asnjë vend tjetër, janë befasuar dhe kanë nisur turet për hartimin e paketave të vitit tjetër. Bilanci i sezonit 2020? Tur-operatorët dhe hotelierët konfirmojnë se ishte më mirë sesa pritej, sektori do të mbijetojë, por ka nevojë për mbështetjen e qeverisë në pikat më të dobëta

 Nertila Maho

Teksa askush nuk e di se ç’do të ndodhë nesër, javën apo vitin tjetër, ekonomisë i duhet të “mbijetojë” e bashkë me të, të gjithë sektorëve. E në këtë mjegull pasigurie që ka sjellë COVID-19, agjencitë e huaja të turizmit kanë vrapuar edhe këtë shtator që të mbyllnin kontratat për verën e vitit 2021.

Tur-operatorët shqiptarë konfirmojnë se janë finalizuar të gjitha dhe rezervimet janë në të njëjtin nivel të vitit 2019, atëherë kur nuk kishim ende në horizont pandeminë. Shifra është inkurajuese dhe mund të rikthejë menjëherë turizmin në shinat e tij, nëse do të zbehet rreziku i COVID-19. Në të kundërt, situata do të jetë e vështirë për të gjithë.

Arben Çipa, nga Shoqata e Hotelierëve në Sarandë shprehet se, polakët dhe turistët nga vendet skandinave po operojnë njëlloj me negocimet, pasi është hera e parë që të gjithë përballen me një situatë si pandemia.

“Kemi negociuar për kontratat dhe çmimet në parim, gjë që do të thotë se kemi përcaktuar tarifat me të cilat do t’i marrin dhomat, por nuk ka pagesë paraprake. Këtë pjesë do ta rishikojmë në mars dhe nëse situata është pozitive, të gjitha do të kalojnë automatikisht në kontrata me garanci duke bërë dhe pagesat përkatëse” shprehet Çipa.

Bjellorusët të befasuar, nisin turet për paketat e vitit tjetër

Shifrat e larta të infektimeve me COVID-19 në vende si Bjellorusia dhe Ukraina bënë që dyert e shumë shteteve të mbeteshin të mbyllura për çdo shtetas gjatë periudhës së verës. Shqipëria ishte më tolerante dhe në fakt u kthye në një destinacion interesant për këto dy grupe. Disa prej tyre e kanë pëlqyer aq shumë atë që gjetën në Shqipëri, sa nuk nguruan të ktheheshin dy herë brenda të njëjtit sezon.

“Bjellorusët kanë operuar në mënyrë të organizuar deri në datë 11 tetor ndërsa deri më 22 tetor kanë vazhduar të sjellin operatorët e tyre turistikë në ato që quhen ‘study tour’ dhe gjatë të cilave shihen destinacionet dhe përgatiten ofertat” – thotë Arben Cipa.