Tepelena lidhet me bregdetin e Himarës/ Rruga Gusmar-Kuç krijon një ofertë të re turistike
Rruga e re Gusmar Kuç, e cila lidh Tepelenën me Himarën do të krijojë një ofertë të re turistike për këtë zonë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i ndërtimit të kësaj rruge turistike e cila, sipas tij, krijon një perspektivë të re për zonën e mrekullueshme malore mes Tepelenës dhe Himarës.
“Mirëmëngjes dhe me kantierin e rrugës së re turistike, prej shumë dekadash e shumëpritur, nga Gusmari në Kuç që së shpejti do të lidhë Tepelenën me Himarën, duke krijuar një ofertë të re për turistët e njëkohësisht një perspektivë të re për zonën e mrekullueshme malore mes këtyre dy pikave, ju uroj një javë të mbarë”, tha Rama.
Investimi për ndërtimin e kësaj rruge kap një vlerë prej 5,780,441 dollarë dhe fillimi i punimeve ka nisur në prill 2020 dhe pritet të përfundojë në prill 2021.
Aksi Kuç-Gusmar lidh bashkë Tepelenën dhe Himarën, si dhe qarkun e Gjirokastrës me rrugën e Lumit të Vlorës dhe me bregdetin.
Investimi në këtë aks rrugor sipas standardeve më të mira, parashikon ndërtimin e 4 urave, nga të cilat njëra arrin gjatësinë edhe më të madhe prej 30 metrash dhe një tjetër 10 metra, dhe dy urat e tjera janë në gjatësi më të vogla që janë nga 6 e 5 metra gjatësi.
Aksi shoqërohet me mure masive mbajtëse pasi një pjesë e rrugës kalon në anë të shkëmbit dhe një pjesë tjetër është me mbushje. Aktualisht 5 km të kësaj rruge janë gati për shtresën e asfaltit.
Ky projekt është pjesë e “paketës së ndërhyrjeve”, ndërthurur më rrugën e Lumit të Vlorës dhe Bençë–Lekdush. Prej kohësh një domosdoshmëri infrastrukturore për të vënë në lëvizje agroturizmin në zonë, si dhe tregtinë e produkteve bujqësore e blegtorale. Dhe jo vetëm. Më pranë bregdetit dhe më pranë shërbimeve kryesore në qendrat përkatëse të bashkive.
Natyra që shoqëron të gjithë këtë aks është një eksplorim më vete i turizmit malor, sepse jugu nuk ka vetëm plazhin e bukur.
Ky aks rrugor ndihmon në zhvillimin e zonës si për potencialin e saj turistik ashtu edhe për tregtarët e zonës për të shitur produktet e tyre që prodhojnë. Me përfundimin e kësaj rruge udhëtimi nga Tepelena në Himarë do të kryhet për një orë.