Rama në kantierin e bypass-it në Vlorë: Segment kyç për zhvillimin e turizmit

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja Belinda Balluku dhe kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli, ka inspektuar nga afër punimet në kantierin e bypass-it në Vlorë.

“Jam shumë besimplotë që më 15 janar mbarojmë urën e cila është më e larta. Puna vijon 24 orë”, u shpreh një nga inspektorët e punimeve.

Ndërsa ministrja Balluku theksoi se kompania nuk ka ndërprerë në asnjë moment punimet.

Në fillim të javës tjetër pritet të kemi 14.5 km të shtruara. Jemi drejt përfundimit të urës 1 dhe urës 5. Puna deri më tani ka ecur mirë dhe kompania nuk ka ndërprerë në asnjë moment punën”, u shpreh Balluku.

Rama deklaroi se me këtë segment pritet që të ketë zhvillime të rëndësishme në sektorin e turizmit, ndërsa ka publikuar edhe një video në rrjetin social “Facebook”, bashkangjitur së cilës shkruan se ky segment do të ofrojë edhe një udhëtim panoramik.

Në kantierin e bypass-it ku prej muajsh punohet me tre turne, për të përmbyllur një prej veprave më spektakolare të infrastrukturës sonë kombëtare, e cila jo vetëm e afron bregdetin jonian për turistët dhe nxit zhvillimin e një tjetër zone plot potenciale, por do të ofrojë edhe një udhëtim panoramik të llojit më të bukur.

Një segment kyç në strategjinë tonë të zhvillimit të turizmit, i cili do të jetë gati para nisjes së sezonit të ardhshëm turistik”, shkruan Rama në rrjetin social “Facebook”.