Qarku i vogël në Jug të Shqipërisë, që ia kalon edhe Tiranës për numrin e infektimeve me Covid-19

Qarku i vogël në jug të Shqipërisë, Gjirokastra, ka një popullsi të vlerësuar prej më pak se 60 mijë banorësh por gjatë ditëve të fundit, rritja e shpejtë e numrit të të sëmurëve me COVID-19 e ngjiti atë në një shkallë prevalence të rasteve më të lartë se sa Tirana, që ka qenë gjatë të gjithë pandemisë, qendra kryesore në vend.

Të hënën, 47 raste të reja u identifikuan në Gjirokastër, duke e rritur numrin e rasteve aktive në qark në 467 vetë me prevalencë prej 786 personash për 100 mijë banorë. Kjo është më e lartë se sa prevalenca në qarkun Tiranë, aktualisht 760 raste për 100 mijë banorë.

Mesatarja kombëtare e prevalencës është 504 për 100 mijë banorë dhe në krahasim me të hënën e kaluar vendi ka 20% më shumë raste aktive.

Qarku i Dibrës është aktualisht më i sigurti sa i përket përhapjes së COVID-19 me 125 raste për 100 mijë banorë.

Vlerësimi i prevalencës është gjithsesi me një shkallë pasigurie për shkak se të dhënat e popullsisë janë vlerësime të mbështetura mbi një census të kryer gati një dekadë më parë.

Mbi 600 persona iu shtuan numrit të të prekurve nga COVID-19 ditën e hënë, ndërkohë që rekordi i mëparshëm i infektimeve ditore u rrëzua të dielën, kur u identifikuan 597 të prekur të rinj.

Së bashku me ata që dolën pozitivë në testimet zyrtare të hënën, numri i të sëmurëve me COVID-19 kapërceu 28 mijë vetët, një numër ky afërsisht i barabartë me 1% të popullsisë totale të Shqipërisë.

Kjo do të thotë se 99% e popullsisë i ka ende mundësitë që të shmangë sëmundjen që ka vrarë deri tani 2.24% të të gjithë shqiptarëve të prekur prej saj dhe që sipas studimeve ndërkombëtare, lë pasoja të ndryshme në shëndetin fizik dhe në shëndetin mendor për një pjesë të madhe të atyre që arrijnë ta kalojnë dhe të shërohen prej saj.

Numri i personave aktualisht të sëmurë me COVID-19 dhe ritmi i shtimit të tyre është njëkohësisht i lartë dhe i shpejtë. Të hënën mbi 14,348 persona rezultuan të sëmurë, nga të cilët, 406 janë nën kujdesin e mjekëve në spitale, ndërsa pjesa tjetër janë duke u kuruar në shtëpi.

Numri i personave të sëmurë është dyfishuar përgjatë 25 ditëve të fundit, ndërsa gjatë kësaj periudhe, 171 shqiptarë kanë humbur jetën. Një projeksion i thjeshtë aritmetikor sugjeron që deri në fund të vitit, në Shqipëri numri i të sëmurëve me COVID-19 të arrijë në 50 mijë vetë ndërsa numri i të vdekurve në rreth 1 mijë.

Kjo është një situatë që Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e përshkroi të dielën në një konferencë për shtyp njëkohësisht si “situatë kritike” dhe gjithashtu “e kontrolluar”.

“Situata përsa i përket ditëve të fundit është një situatë e kontrolluar, pra vlerësohet që rritje e qëndrueshme e rasteve, karakterizon javën që po mbyllim. Por sigurisht që është një situatë kritike, sepse krahasuar me një muaj më parë, kemi një dyfishim të rasteve pozitive ditore në raport me muajin e parë,” deklaroi Manastirliu.

Dita e hënë ndërkohë shënoi edhe një numër rekord personash të shëruar, gjithsej 564 persona, të cilët u klasifikuan si të shëruar nga Ministria e Shëndetësisë për shkak se kanë kaluar dy javët e karantinës që nga dita kur u identifikuan si të sëmurë.

Rekordi tjetër i mëparshëm i shërimeve më 2 tetor, ishte 265. Kjo thyerje e rekordit me mbi dy herë duket se vjen më së shumti si pasojë e ndryshimit të metodologjisë së punës.