Pasojat e mbylljes së Qafë Botës, të moshuarit kanë mbetur vetëm në zonat minoritare në jug

Banorët e katër bashkive në jug të vendit po vuajnë pasojat e mbylljes së pikës kufitare të Qafë Botës me Greqinë. Në zonat e minoritetit, të moshuarit kanë mbetur vetëm, ndërsa punëtorët sezonale humbën një nga mundësitë e pakta të sigurimit të të ardhurave.

Pandemia e koronavirusit mbylli kufirin me Greqinë në pikën kufitare të Qafë Botës.

Banorët e katër bashkive të jugut vuajnë mungesën e kontakteve me shtetin fqinj.

Ollga dhe Kozma Gogo janë dy të moshuar që mbyllja e kufijve i ka izoluar të vetëm në fshatin Mursi të Konispolit.

“Mbyllja e doganës së Qafë Botës për ne ishte katastrofë.”

“Shikoj ëndrra në gjumë, mendjen dhe shpirtin i kam atje, këtu tokën kam.”

Marrja e medikamenteve, pensioneve dhe vizitat mjekësore, janë shqetësimet kryesore të banorëve.

“Andej vizitohemi, shikojmë fëmijët, vijnë dhe ata. Na u ndërpre diçka jetike.”

Një muaj më parë qytetarë nga Konispoli, Finiqi , Saranda dhe Delvina protestuan për hapjen e doganës.

Disa javë më pas pati një raportim se kufiri do të hapej vetëm për punëtorët sezonale, por plani u anulua për shkak të shtimit të rasteve me koronavirus dhe masave shtesë të marra nga Athina.

Në këto kushte ata thonë se u është prerë një prej mundësive të pakta që kanë për punësim.

“Pandemia na prishi gjithçka, edhe ne pleqve dhe atyre. Ata punojnë atje.”

Familje të ndara e vështirësi ekonomike, ka shkaktuar mbyllja e doganës me Greqinë.