Ministrja Manastirliu jep lajmin: Që pas 1 dhjetorit, mësim online

Sipas ministres së Shëndetësisë, Olgerta Manastirliu, ministria që ajo drejton propozon që duke filluar nga 1 dhjetori, mësimi parauniversitar të alternohet, gjysëm fizik e gjysëm online.

Propozimi i kalon ministrisë së Arsimit, institucion që pritet ta marrë shpejt vendimin për këtë alternim.

Reagimi 

Prej mëse 9 muajsh, i gjithë sistemi ynë shëndetësor është në gatishmëri të plotë në përballje me këtë virus që po sfidon mbarë botën.

Ne po vazhdojmë të fuqizojmë kapacitetet tona në gjithë sistemin shëndetësor duke filluar nga përmirësimi i testimit dhe gjurmimit, dhe përfshirja e testeve të shpejta brenda dhjetorit do të bëjë të mundur kufizimin e mëtejshëm të përhapjes së virusit.

Bazuar në planin tonë të vjeshtë-dimrit kemi siguruar vaksinimin falas ndaj gripit për grupet e riskuara për 368 mijë qytetarë dhe sot ka mbërritur sasia e fundit prej 230 mijë vaksinash.

Si pjesë e planit tonë ka filluar rimbursimi i paketës së barnave falas të çdo qytetari të diagnostikuar me covid19.

Spitali Covid 4 dhe spitalet rajonale janë gati për t’u shërbyer pacientëve sipas skenareve në strategjinë e vjeshtë-dimrit.
Për t’iu përgjigjur nevojave dhe për të mbështetur stafet tona kemi punësuar deri tani 270 profesionistë të shëndetit.

Dua të falenderoj ekipet tona mjekësore në të katër anët e Shqiperisë për punën, sakrificën edhe përkushtimin që kanë treguar në këto kohë sfiduese.

Bazuar në percaktimet e udhezimeve të OBSH dhe analizën mbi baza dinamike të Institutit të Shëndetit Publik, situata paraqitet në një nivel risku të shtuar.

Ekspertët e shëndetit publik në ISHP vlerësojnë se impakti i masave që kemi marrë deri më sot, vlerësohet në hapësirën kohore 4-6 javë nga momenti i fillimit të zbatimit.
Por, që të kenë efekt duhet që çdo masë të zbatohet nga të gjithë me përpikmëri e përgjegjësi.

Të dashur qytetarë,

Ashtu siç e kemi përsëritur në këto javë, për ne shëndeti është i pari dhe mirëqenia e përgjithshme e fëmijëve tanë, shëndeti dhe siguria e tyre, janë prioritet absolut.
Deri tani, siç ekspertet analizojnë, fëmijët nuk vlerësohet të jenë transmetues të lartë të infeksionit nga Sars-CovV2.
Rezulton se protokollet e sigurisë në tërësi janë zbatuar nga strukturat arsimore, gjë që është reflektuar dhe në shifra.

Por, për të minimizuar risqet gjatë kësaj periudhe, ku të pranishme janë edhe infeksione të tjera respiratore, kemi peshuar rëndësinë e ekuilibrit të mirëqenies dhe sigurisë së shëndetit të fëmijëve, dhe pas rekomandimit të Komitetit të Ekspertëve kemi vendosur:

1. T’i rekomandojmë MASR që, nga data 1 Dhjetor, të aplikojë skenarët që parashikojnë kryerjen e mësimit të alternuar, pra në formën tradicionale, me prani fizike duke e kombinuar dhe me mësimin ne distance (online) bazuar në specifikat e sistemit arsimor dhe të dhënave lokale përkatëse në bashkëpunim me autoritetet shëndetësore.

Të dashur qytetarë

Në këto 9 muaj, shumë mësime janë nxjerrë kudo në botë, nga kjo pandemi.

Një prej tyre mbetet i pandryshueshëm: Masat në mbrojtje të jetës kanë efekt, vetëm nëqoftë se gjithësecili prej jush merr përgjegjësitë e veta.

Në këtë pandemi, çdo veprim i pakujdesshëm ka pasoja të drejtpërdrejta mbi shëndetin tuaj, dhe shëndetin e të afërmve.
Përpara kemi një dimër të vështirë, por sot shpresa që të dalim të fituar nga kjo luftë, janë më të mëdha se kurrë më parë.

Lajme të mira vijnë nga kompani ndërkombëtare për efikasitetin e vaksinës. Shqipëria i ka hedhur tashmë hapat dhe po punojmë intensivisht për të patur qasje në këto vaksina, njësoj si shtete të tjera të botës.

Të dashur qytetarë,

Në fund dy fjalë me një lutje për të gjithë:
E kuptojmë fare mirë dëshirën për të festuar, aq më tepër Festat e Nentorit.
Por këtë vit, këto festa na gjejnë përballë një sfide të shëndetit publik, që ndodh një herë në shekull.

Patriot sot është kush qëndron në shtëpi, për të mbrojtur shëndetin e vetes, familjes dhe të afërmve.

Do të vijë një kohë kur, ndër fitoret tona më të medha do të jete dhe fitorja që arritëm bashkë në betejën për shëndetin!