Akuzat e Bashës për fshehjen e të vdekurve nga COVID/ Mjekët: Nëse e përsërit thërrasim prokurorinë! Rama: Shkoi shumë larg, përtej çdo caku, nesër i drejtohem shqiptarëve
Drejtoresha e Spitalit Infektiv, Najada Çomo, e shoqëruar nga mjekët që janë në frontin e parë të luftës kundër COVID, kanë reaguar ashpër ndaj akuzave të bëra mbrëmë nga kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili pretendoi se ka një dokument nga morgu i Tiranës që vërteton fshehjen nga autoritetet të të vdekurve nga koronavirusi në spitalet e Tiranës.
Sipas mjekëve këto akuza janë tronditëse dhe një goditje ndaj punës së tyre.
“Shprehim publikisht habinë tonë për akuzat e bëra dje nga kreu i PD-së Lulzim Basha në një emision televiziv. Janë akuza tronditëse që vendosin në goditje profesionalizmin tonë si mjek por janë dhe goditje të befasishme të përpjekjeve tona më shumë se 9 mujore me COVID-19. Nuk duhej kurrësesi të arrihej deri këtu dhe nuk është aspak dëshira jonë që të merremi me deklarata publike, por përballë akuzash të tilla e kemi të domosdoshme të informojmë opinionin publik si vijon. Nuk është kurrësesi e vërtetë që janë fshehur vdekjet nga COVID-19 dhe themi me përgjegjësi të plotë që kjo jo vetëm është praktikisht dhe teorikisht e pamundur. Çdo pacient që ndërron jetë, përcillet për në morg së bashku me kartelën shoqëruese. Kartela bashkëshoqëruese përmban dhe arsyen e vdekjes së qytetarit, firmosur dhe vulosur me përgjegjësi profesionale e ligjore nga mjeku që e ka trajtuar deri në momentin e fundit nga mjeku që ka konstatuar vdekjen e personit. Shkaku i vdekjes së një pacienti në spital nuk mund të përcaktohet as nga politikanët as nga kushdo qoftë përveç mjekut përkatës.
Kartelën bashkëshoqëruese të të ndjerit nuk e zëvendësojnë dhe as nuk e ndryshojnë dot deklaratat bombastike që vënë në pikëpyetje vetë humanizmin e autorëve të tyre në një kohë kaq të vështirë për njerëzit. Askush nuk mund ta ndryshojë dot shkakun e vdekjes dhe jo më pastaj një ekip i tërë mjekësh të parafytyrohej dhe akuzohet si i përfshirë në një monstruozitet me përmasat e deklaruara. Gjithashtu bëjmë me dije se nëse kjo akuzë do të përsëritet, ne do të ftojmë organet kompetente të hetojnë duke bërë verifikimin e çdo kartele mjekësore. Nuk do të lejojmë kurrësesi pa adresuar me ballafaqim miqësor ose ligjor këtë cënim që na bëhet në dinjitetin tonë njerëzor dhe profesional. Duhet t’i jepet njëherë e mirë fund praktikës politike dhe mediatike të lojës me vdekjen që ka sjellë jo pak telashe në 30 vjet në jetën e bluzave të bardha. Kjo dalje jashtë shinave të së vërtetës në këtë kohë janë tejet të rrezikshme. Në këtë kohë të vështirë kjo është gjëja e fundit që na shkon në mendje ndërkohë që krejt të kundërta duhet të jenë mesazhet e figurave publike të popullit” – tha Çomo.
“Për akuzën e pashembullt të Lulëzim Bashës, e cila cenon drejtpërdrejtë integritetin moral e profesional të mjekëve të vijës së zjarrit dhe nxit dhunë ndaj tyre, do t’u drejtohem nesër shqiptarëve me një mesazh të drejtpërdrejtë, sepse këtu është shkuar shumë shumë larg, përtej çdo caku të politikës së ulët ditore dhe këtu nuk është më fjala thjeshtë për llafet e një aktori të papërgjegjshëm!
Sot u shpreh të gjithë solidaritetin dhe mbështetjen time, profesoreshë Najada Çomos e të gjithë skuadrës së saj shembullore, duke u përulur me mirënjohje përpara stërmundimit të tyre të përditshëm prej nëntë muajsh me radhë, si edhe duke u thënë që historia e mjekësisë shqiptare do të flasë për ta kur Lulëzim Bashës e xhagajdurëve të tjerë të botës mizerabël të shpifjeve e të thashethemeve, t’u jetë harruar emri, nami e nishani!”, thuhet në reagimin e Kryeministrit.