SKANDALI: Polici në Sarandë tentoi të vrasë qytetarin, Prokuroria dhe Policia manipuluan dosjen

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës veprimet e Policisë dhe Prokurorisë Sarandë, të cilat manipuluan një ngjarje kriminale, në përpjekje për të mbrojtur një punonjës i policisë së burgjeve dhe një punonjës të vetë Policisë së Shtetit.

Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua i dëmtuari Arjan Hoxha, i cili tha se mbrëmjen e 18 qershorit të këtij viti një punonjës i policisë së burgjeve ka tentuar ta vrasë me armën e shërbimit. Megjithëse kishte shumë dëshmitarë okularë, por edhe kamera sigurie, provat e kësaj ngjarje u manipuluan. Oficeri i policisë gjyqësore “zhduku” pistoletën, teksa shkroi në raport se “nuk u faktua se autori kishte përdorur armë”. Ndërkohë, nuk u sekuestruan kamerat e sigurisë, të ambienteve private dhe të kryqëzimit të bashkisë.

Gjithashtu, në pyetje u morën vetëm 3 dëshmitarë, të 3 shokë dhe miq të autorit që qëndronin në të njëjtën tavolinë. Dëshmitarët e tjerë i thanë “Fiks Fare” se autori ia drejtoi “në lule të ballit” pistoletën të dëmtuarit, duke e goditur disa herë me qytë. Por nuk mbarojnë këtu manipulimet. Inspektori i policisë së zonës, Mariglen Basha, shkruan në raportin e shërbimit se ngjarjen e ka mësuar nga Spitali Sarandë. Por, në një ballafaqim me të dëmtuarin, pranon se ka qenë dëshmitar okular në lokalin ku ndodhi tentativa e vrasjes.

Denoncimi: Autori polic burgjesh

Denoncuesi tha për Fiks Fare se mbrëmjen e datës 18 qershor 2020 qëndronte në ambientet e një lokali në lagjen nr.3 në Sarandë. Ai u konfliktua me një punonjës të policisë së burgjeve, i quajtur Sajmir Hima. “Ai ishte i pirë. S’kisha konflikt më parë. Më ka ofenduar, më ka kërcënuar dhe në fund më ka drejtuar edhe pistoletën. Në lokal kanë qenë prezent 3 punonjës policie, njëri quhet Sokol Sinani, tjetri inspektori i policisë së lagjes Mariglen Basha. Sokol Sinani dhe polici i burgjeve kanë qenë në një tavolinë, janë miq me njëri tjetrin. Ka qenë kunati i Sokolit, Besnik Qorri, dhe një person tjetër me emrin Arben” thotë denoncuesi.

Më tej pohon se në një moment, autori e ka sharë, kërcënuar dhe goditur me qytën e pistoletës. “Nxori pistoletën dhe ma drejtoi mua. Dëshmitarët e tjerë u larguan kur nxorri pistoletën. Polici i rendit i thoshte hiqe armën se do të marrë patrullën. Më qëlloi me qytën në rrëzë veshi, pasi më kishte goditur edhe kunati i tij me grusht. Kisha dëmtime pas koke. Unë në moment që kisha humbur ekuilibrin dhe pasi kisha rënë në shesh, më qëllonte dhe drejtonte pistoletën, do të q… ropt, po tani, do të vras!” pohon z.Arjan Hoxha.

Më tej pohon se në lokal ka qenë edhe Mariglen Basha, inspektor i policisë së zonës. “Në momentin që isha shtrirë dhe më godiste pa pushim, ai është drejtuar me fjalët ‘hiqe armën se do marrë patrullën’. Nuk bëri asnjë veprim tjetër, as të na ndante. Më pas ka shkuar patrulla e policisë në lokal dhe inspektori i zonës është larguar. Pas ngjarjes kemi shkuar në një lokal tjetër që të pastroheshim. Dola dhe pashë që kishte shumë policë atje dhe më kërkonin të mos bëja denoncim.

Më pas shkova në spital dhe kam kontrolluar kokën. Edhe sot kam dhimbje. Unë nuk i di veprimet të mëpasshme të punonjësit të policisë” vijon denoncuesi, teksa pohon se autori ishte në gjendje të keqe, skizofren komplet. Më tej sqaron edhe momentin që ka ndërhyrë inspektori Basha, teksa pohon se “detyroi policin e burgjeve të më hiqte armën nga koka, por nuk e arrestoi atje”.

“Presione për të tërhequr denoncimin”

I dëmtuari pohoi se ka pasur shumë presione që të tërhiqte denoncimin. “Ka ardhur babai i autorit më ka kapur që ta tërheq denoncimin, më janë ofruar edhe lekë. U thashë që nuk e kam kokën në shitje. Ai erdhi më mori jetën për qejf, nuk pranova. E lashë se ngjarja ishte në prani të 15 dëshmitarëve, kamera ka, lokali është 50 metra larg policisë, edhe kamera e objektit që isha unë, kamera e lokalit përballë, kamera e kryqëzimit e vendosur nga bashkia. Ngjarja ka qenë në derën e policisë” thotë ai, ndërsa analizon edhe veprimet e OPGJ-së, Kastriot Xhaferri. “Shkruan në dokumente se s’ka kamera. 

Dëshmitarë janë pyetur vetëm personat që kanë qenë me të në tavolinë. Një ndër ta polici Sokoli Sinani. Edhe këta me kontradikta. Sinani ka deklaruar se autori po shante me vete se ishte në punë në darkë. Për armën kishte thënë s’pashë gjë. Kurse Arbeni ka deklaruar sikur unë kam bërë sherr me kunatin e tij, jo me autorin!” thotë ai. I dëmtuari pohon se prokuroria nuk thirri asnjë person për tu pyetur, përveç atyre që ishin në tavolinë me të. “Prokuroria vendosi pushimin e çështjes me arsyen që s’ka prova. Dyshoj për manipulime? Jo manipulime, po është mbuluar dielli fare! Unë tani detyrohem që të paguaj edhe shpenzimet gjyqësore. Kam kërkuar që të pyeten 4 dëshmitarë të tjerë që kanë qenë atje, por edhe të tjerë. S’është pyetur asnjë” përfundon ai.

Dëshmitarët e pa pyetur nga prokuroria: Autori me armë!

Ngjarja është hetuar nga Prokuroria e Sarandës, pikërisht nga prokurori Sali Hasa. Në vendngjarje ka pasur disa kamera sigurie, ka pasur një biznes aty pranë. Por, edhe në një kryqëzim, kamerat e vendosura nga bashkia e Sarandës. Por çuditërisht, në dosja nuk figuron asnjë provë materiale nga këto filmime. Gjithashtu, në lokal kanë qenë 15 persona, ndërkohë në dosje figurojnë vetëm 3 dëshmitarë. Pra, 3 dëshmitarë që kanë mbajtur anën e autorit. Fiks Fare bisedoi me disa dëshmitarë të tjerë të kësaj ngjarje, për të mësuar se çfarë ka ndodhur mbrëmjen e datës 18 qershor 2020. “Fillimisht, ata janë zënë brenda në lokal. Kanë dalë jashtë dhe janë zënë edhe aty. Autori ka qenë me kunatin e tij. Arsyen se di, e ka ngacmuar ai polici. Është polic i burgjeve, atje ka qenë civil. Ka nxjerrë pistoletën dhe e ka gjuajtur në kokë Arjan Hoxhën.

E ka qëlluar me qytë pistoletë dhe ja ka drejtuar edhe pistoletën. Se di nëse kanë pasur apo jo konflikt më para. Ngjarja ka zgjatur rreth 10 minuta. Për 20 minuta dhe policia s’kishte ardhur akoma. Ikëm ne, kaluam më vonë dhe ishte policia atje. U çuan për ti ndarë, por në momentin që panë armën, u larguan të gjithë. Normalë, më mirë një grusht më shumë sesa një plumb. Kur ndodhi ngjarja kanë qenë më shumë se 10 persona. Kamera ka përreth, kryqëzimi. Nga qershori deri në fund të shtatorit s’më ka thirrur asnjë për të dëshmuar. Nëse do më kishin thirrur do kisha vajtur” tha ai.

Fiksi siguroi edhe një bisedë mes të dëmtuarit dhe 3 dëshmitarëve të tjerë. Ata pranojnë se autori kishte armë. “Nxori armën, i thashë ça bëni, ik e foli atij. Qe një polic civil. Inspektori i zonës që ndërhyri. Ai ja kapi dorën (autorit). Ai mund ta ketë mbajtur nja 1 minutë pistoletën, e nxori që kur ishte… ja drejtoi këtij në kokë pistoletën. Inspektori u step ca kohë, pastaj ndërhyri, ia hoqi armën” thonë ata, ndërsa shtojnë se “polici mund të vriste mbi 10 veta” pasi ishte i dehur.

Por, këto fakte nuk janë hetuar nga Prokuroria e Sarandës, pasi i dëmtuari nuk ka marrë në kohë aktet hetimore. “Kërkoja dosjen në prokurori. Jo me shkrim, jo do vish herë tjetër. Dhe kur shkova herë tjetër, ai e kishte mbyllur, pushuar” thotë z.Hoxha.

Inspektori i zonës: Isha në lokal, po s’pashë armë!

Ndryshe nga sa ka shkruar në dokumente, inspektori i policisë Mariglen Basha pranon se ka qenë në lokal. “Është një raport shërbimi që z.Basha shkruan se ngjarjen e ka mësuar nga spitali i Sarandës” thotë i dëmtuari. Ndërkohë, në një ballafaqim me të dëmtuarin, inspektori pranon se ka qenë në lokal, por s’ka parë armë! “T’i kam bërë veprimet si për babanë tim. E kam shoqëruar në kohë rekord. Dha deklaratë Sokol Sinani një më një. Unë e quajta një konflikt të momentit, se quajta sherr me pasoja” pohon ai, nërsa shton se “pashë një

konflikt të njerëzve dhe ika u largova. Më mori salla pyetja dhe më thanë kush është ky. E mora e shoqërova”. I dëmtuari e pyet disa herë për armën, por ai i pohon se “nuk mbaj mënd gjë”. Në fund fare i thotë që “pash që kishte konflikt, kaq pashë unë. Ta them troç. S’dua t’ia di për asnjë palë”. I dëmtuari pohon se autori është mbajtur vetëm 8 orë në polici dhe të nesërmen ka shkuar në punë.

***

I dëmtuari takon dëshmitarët e tjerë që nuk u thirrën nga prokuroria

Dëshmitari 1 – E pash që në surrat, që diçka e kishin ngacmuar andej, vjen mu në krah, do të … ropt, do të … këtu.

Dëshmitari 2 – Ça nxori pistoletën ai…

Dëshmitari 3 – E lëshova unë në një moment poshtë se qe me pistoletë, se nxori që lartë pistoletën, po s’e pash, kush e pa… Nxori pistoletën në vend.

Dëshmitari 1 – Mos qe Beso këtej, do kishte qëlluar në sekondë, do kishte qëlluar para këtij.

Dëshmitari 2 – Nxori armën dhe e lirova, i thashë ça bëni, ik e foli atij. Qe një polic me civil…

Dëshmitari 3 – Po qe i zonës ai, i lagjes.

Dëshmitari 2 – Ai i foli, ai ndërhyri.

Dëshmitari 3 – Ai ja kapi dorën (autorit).

Dëshmitari 1 – Ai mund ta ketë mbajtur nja 1 minutë pistoletën, e nxori që kur ishte… ja drejtoi këtij në kokë pistoletën

Dëshmitari 2 – Inspektori u step ca kohë, pastaj ndërhyri, ia hoqi armën.

Qytetari – Dhe ai shkruan atje sikur e ka marrë vesh ngjarjen nga spitali.

Dëshmitari 1 – Si e shkruan?

Qytetari – Sikur e ka marrë vesh ngjarjen nga Spitali i Sarandës.

Dëshmitari 2 – Këtu drejtësia është…

Dëshmitari 3 – I forti fiton.

Dëshmitari 1 – I forti fiton.

Dëshmitari 2 – Nxjerr armën ai dhe të sulmon

Dëshmitari 1 – Një moment është ai, mund të vriste mbi 10 veta.

Dëshmitari 2 – Ai qe spatë, e kupton.

Qytetari – Ai të humbur e kishte.

Dëshmitari 2 – Edhe ne të humbur e kishim.

***

I dëmtuari ballafaqohet me inspektorin e policisë së zonës

Qytetari – Si jeni? Marigleni është këtu?

Punonjësi i policisë – A të dhashë dje një numër telefoni.

Qytetari – Nuk është këtu?

Punonjësi i policisë – Merre në telefon zotëri.

Qytetari telefonon inspektorin Mariglen Basha

Inspektori Mariglen Basha – Alo?!

Qytetari – Mirëmëngjesi.

Inspektori Mariglen Basha – Kush je?

Qytetari – Arjan Hoxha jam, ai personi me të cilin ndodhi ai sherri aty te bar “Meli”. A mund ta pimë një kafe bashkë?

Inspektori Mariglen Basha – Po do të marr unë se kam lëvizur nga inspektor, s’jam më inspektor.

Pas disa orësh…

Qytetari – Vajta tërhoqa atë dosjen në prokurori dhe çudi më erdhi se ti në njëfarë mënyrë më shpëtove jeton o vlla, po si ka mundësi që nuk ishe atje në vendin e ngjarjes!

Inspektori Mariglen Basha – S’kam qenë unë atje.

Qytetari – E ke marrë vesh ngjarjen nga spitali.

Inspektori Mariglen Basha – S’kam qenë unë atje! Kam qenë, po kam qenë larg dhe s’pash asnjë gjë. Kam qenë ulur me një djalë nga ajo, është nga Gjirokastra.

Qytetari – Unë të pashë mirë me kë ishe, s’është problem…

Inspektori Mariglen Basha – … me Klajdi dhe s’pash gjë.

Qytetari – I folë hiqe atë (pistoletën) se do marrë patrullën.

Inspektori Mariglen Basha – S’e mbaj mend për Zotin, s’e mbaj mend.

Qytetari – Ti ia hoqe.

Inspektori Mariglen Basha – Unë di që i kam bërë veprimet si për babain tim, kam vajtur… erdha në spital të mora emrin, e kam shoqëruar në kohë rekord.

Qytetari – Si ka mundësi që e more vesh ngjarjen nga spitali, vetëm kaq, vetëm këtë dua?!

Inspektori Mariglen Basha – Unë e quajta një konflikt të momentit, s’e quajta sherr me pasoja.

Qytetari – Kjo është çudi e madhe, mirë pistoleta humbi, si ka mundësi?

Inspektori Mariglen Basha – Të kisha parë gjë, s’dua t’ja di. S’më rruhet … për asgjë në botë, ta them troç kështu. I kam shkruajtur në raport shërbimi, të gjitha veprimet e mia.

Qytetari – Thjesht lexova që ti e more vesh ngjarjen nga spitali, kjo më çuditi për Zotin e madh.

Inspektori Mariglen Basha – Nuk… s’kam parë unë atje…

Qytetari – Po si ka mundësi? Të ikësh andej, tregoje si të duash, po jo të ikësh andej. Kjo më çuditi.

Inspektori Mariglen Basha – Unë pash një debat, një konflikt të njerëzve dhe ika u largova. Ashtu më mori salla se unë isha inspektor i gatshëm i lagjes. Vajta, pyeta. Isha ashtu më në brendësi. Të thashë ty, kush është, ky! E mora e shoqërova. E pyeti oficeri, kallëzim. Ta them troç nuk mbaj mend asnjë lloj gjëje.

Qytetari – Unë e mbaj mend shumë mirë që ti the hiqe atë nga dora se do marr patrullën.

Inspektori Mariglen Basha – Nuk mbaj mënd gjë, Për Zotin s’mbaj mend gjë!

Qytetari – Këtë s’e imagjinoja dot fare, mos njëri tjetri të pa, se nuk isha vetëm unë. Të pashë mirë ku ishe dhe me kë ishe.

Inspektori Mariglen Basha – Pashë që kishte konflikt, kaq pashë unë.

Qytetari – Unë kam dëshmitarë që ti ke qenë atje.

Inspektori Mariglen Basha – Bëj çfarë të duash, mua presion nuk më bën, e kuptove. S’kam parë asnjë gjë Arjan.

Qytetari – Nuk e kuptoj fare, s’e konceptoj dot. Këtë kam unë.

Inspektori Mariglen Basha – S’e mbaj mend fare! Ka dhënë deklarim Sokol Sinani (punonjës policie), jam marrë tërë natën me çështjen. Ka punuar Kastriot Xhaferri, erdhën prokurorët. S’kemi asnjë indicie.

Qytetari – Po kamerat nga vajtën?

Inspektori Mariglen Basha – kamerat?

Qytetari – Po, kamera e lokalit, kamera e atij përballë.

Inspektori Mariglen Basha – Me grup pune, me oficer, me ashtu nuk kemi gjetur asnjë gjë te lokali, kaq! Nuk është se në çdo moment do ndërhyj unë. E

kupton, unë jam një person civil që shikoj ngjarjen dhe di çfarë bëj. Po do ta shikosh, shikoje! Ti e di mirë këtë punë, ika…

Qytetari – Faleminderit!