Rama me ministrin e Jashtëm grek: Kemi rënë dakord që çështjen e detit ta trajtojmë në instancat ndërkombëtare
Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Niko Dendias, kryeministri Rama u shpreh se është rënë dakord që çështja e detit të trajtohet në instancat ndërkombëtare.
“Kemi rënë dakord që çështjen e detit ta trajtojmë në instancat ndërkombëtare. Së bashku, Shqipëria dhe Greqia do t’i drejtohet drejtësisë ndërkombëtare për të vendosur pikat mbi i në bazë të ekspertizës dhe të drejtës ndërkombëtare të detit. Më vjen keq për patriotët e detit, por në këtë mënyrë duhet të gjejnë arsye të tjera, pasi çështja e detit nuk është për të bërë më propagandën e tyre anti-greke dhe as propagandë në Shqipëri dhe Kosovë. Të vetëvendosën në çështje të tjera”, u shpreh Rama.
Po ashtu, kryeministri paralajmëroi se bisedime shumë pozitive janë duke u zhvilluar mes dy vendeve për heqjen e ligjit të shumëdebatuar të luftës që Greqia ka ndaj Shqipërisë. Gjithashtu kreu i qeverisë bëri me dije se kanë nisur bisedimet mes dy qeverive për të organizuar një mbledhje të përbashkët për të trajtuar çështjet me rëndësi për njerëzit në të dy anët e kufirit.
“Kemi rënë dakord për një mbledhje të parë mes dy qeverive për t’u marrë me çështje që kanë rëndësi për njerëzit. Çështjet e patriotizmit nacional-folklorik nuk janë të qeverive tona. T’i japim një shtysë kësaj marrëdhënie dhe të ndërtojmë së bashku një të ardhme në paqe dhe prosperitet për të gjithë. Dhe në mbyllje dua të them që nuk është një çështje që mund ta konsiderojmë të zgjidhur por është një diskutim shumë pozitiv dhe së shpejti kam besim do të përfundojë në mënyrë pozitive që është heqja e ligjit të luftës. Pasi humbën detin nacional-folklorikët do të humbin dhe tokën. Në tokë dhe në det nuk do kenë më çështje për t’u marrë”, u shpreh Rama.