Platforma e re interaktive e Partisë Socialiste online, Rama: Gati për të dëgjuar opinionin e çdo anëtari për krijimin e skuadrës fituese të 25 prillit
Kryeministri Edi Rama prezantoi sot platformën e re interaktive të Partisë Socialiste online, që do t’i japë akses anëtarësisë për t’u dëgjuar në vlerësimin e përfaqësuesve në Kuvend sipas çdo qarku.
“Ky vlerësim do të na ndihmojë shumë në procesin e ndërtimit të skuadrës, që do të fitojë betejën zgjedhore të pranverës së ardhshme. I ftoj të gjithë pjesëtarët e kësaj familjeje të madhe të pajisen me çelësin e personalizuar të hyrjes në platformë dhe të thonë fjalën e tyre”, u shpreh kryeministri Rama nga selia e Partisë Socialiste ku prezantoi edhe platformën.
Sipas Ramës, është një hap i parë i cili do të ndiqet nga hapat e tjerë, sipas një plani që kurorëzohet në 25 prill, por procesi i ndërveprimit vazhdon edhe përtej.
“Ne duam që e gjithë jeta e partisë të marrë një hov të ri dhe të gjallërohet më tej, në mënyrë që anëtarët e partisë të mund të marrin të parët të gjitha lajmet që kanë të bëjnë me partinë dhe proceset që kanë të bëjnë me qeverinë e lajmet e rreme dhe informacionet të cilat patjetër që ne i japim botërisht, por për të cilat ne besojmë se çdo anëtar e anëtare e PS-së ka të drejtën të kërkojë më shumë hesap dhe të ketë më shumë vëmendje lidhur me vërtetësinë e përmbajtjen e elementëve të caktuar të një informacioni”, deklaroi Rama.
“Mundësia për të shfrytëzuar hapësirën që krijon teknologjia është e jashtëzakonshme dhe zhvillimi i komunikimeve jo vetëm individualisht, apo jo vetëm me shkrim, por edhe komunikimeve me grupe përmes videokontakteve është patjetër një hapësirë e mrekullueshme që krijohet”, shtoi Kryeministri.
Rama shtoi se ne do të bëjmë këtë proces për të dëgjuar çdo anëtar e anëtare partie lidhur me deputetët e deputetet në qarkun e vet dhe secili do të japë një vlerësim me pikë nga 1-5 për si e sheh çdo deputet e deputete pas kësaj periudhe përfaqësimi, bazuar në mbështetjen që ai apo ajo ka dhënë si anëtar.
“Këto vlerësime do të na ndihmojnë shumë për të kuptuar nivelin e marrëdhënieve mes deputetëve dhe anëtarëve të partisë dhe patjetër edhe për krijimin e skuadrës që do të fitojë në 25 prill”, tha Rama.
Sipas Ramës, vlerësimi do të jetë i hapur deri në fund të muajit nëntor, por afati është fleksibël.