Meta zbardh takimin me ministrin grek: Marrëveshja e detit në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara dhe me legjislacionin e dy vendeve

Presidenti Ilir Meta ka zbardhur takimin që ka zhvilluar me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias, por ajo që vihet re është se presidenti është shfaqur pa maskë fare, ndërsa në përfundim të takimit  e ka hequr edhe ministri.

Zhvillova sot një takim të ngrohtë me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Helene, Sh.T.Z. Nikos Dendias.

Vlerësova marrëdhëniet Shqipëri-Greqi si ndër prioritetet kryesore të politikës sonë të jashtme dhe theksova se duhet të vazhdojnë të zhvillohen në frymën e fqinjësisë së mirë, të lidhura nga interesat strategjike, partneriteti i ngushtë në NATO, perspektiva e përbashkët europiane dhe interesat ekonomike të të dy vendeve.

Pakica greke në Shqipëri është një urë e fortë për miqësinë tonë të gjatë dhe së bashku me shqiptarët që jetojnë në Greqi përbëjnë themelet e marrëdhënieve tona të shëndosha dhe afatgjata.

Në lidhje me çështjen e delimitimit të hapësirës detare ndërmjet dy vendeve, inkurajoj të trajtohet përmes një dialogu të sinqertë dhe respekti reciprok, duke synuar një zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme.

Marrëveshja për këtë çështje të rëndësishme duhet të jetë në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin e Detit, me legjislacionin e të dy vendeve dhe Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, shkruan Meta.