Karantinë e dytë? Mitsotakis: E paimagjinueshme, por nuk ka siguri! Na presin 4 muaj të vështirë
“Bllokime lokale, gjurmime dhe testime masive”! Kjo është strategjia që po përdor Greqia kundër përhapjes së koronavirusit, deklaroi kryeministri Kyriakos Mitsotakis.
Kreu i ekzekutivit grek e cilësoi “pothuajse të paimagjinueshme” mundësinë e vendosjes së një karantine të dytë të përgjithshme jo vetëm në Greqi, por edhe në Evropë, në kontekstin e masave të marra në të gjithë botën kundër koronavirusit.
“Kemi tre ose katër muaj të vështirë përpara. Por shpresoj dhe jam optimist se nuk do të duhet të marrim masa më drastike sesa po marrim tashmë. Por nëse dikush pyet nëse kjo mund të thuhet me siguri, përgjigja është “jo”.
Mbajtja e maskës nuk është vetëm një akt vetëmbrojtjeje por edhe një akt solidariteti pasi mbroni njerëzit e tjerë, sidomos familjen tuaj pasi e dimë që transmetimi më i madh ndodh brenda familjes. Pra, është një veprim për të mbrojtur ata që i doni më shumë” deklaroi ai.
Kyriakos Mitsotakis i uroi shërim të shpejtë presidentit të SHBA-së ndërsa shtoi se virusi nuk bën dallime. “Unë i uroj të gjitha të mirat Presidentit Trump dhe gruas së tij në luftën kundër virusit” përfundoi ai.