Gjyqtarja e Sarandës, Enkeleda Doda u dorëhoq pas barrës së provës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK ka vendosur ndëprerjen e procesit të rivlerësimit për gjyqtaren e Sarandës, Enkeleda Doda, si dhe ndalimin e riemërimit të saj në sistemin e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme, pasi u dorëhoq kur u përball me barrën e provës për pasurinë.

Në vendimin e zbardhur të KPK shpjegohet se hetimi administrativ për gjyqtaren Doda kishte nisur në dhjetor të vitit 2019.

Në shtator 2020, trupi gjykues i përbërë nga Pamela Qirko kryesuese, Brunilda Bekteshi relatore dhe Lulzim Hamitaj anëtar, ka vendosur mbylljen e hetimit kryesisht gjyqtaren Enkeleda Doda dhe kalimin e barrës së provës vetëm për kriterin e pasurisë.

KPK e ka njoftuar Dodën për këtë vendim dhe i ka kërkuar që të paraqesë shpjegime dhe prova lidhur me gjetjet e hetimit administrativ.

Në vendim thuhet se Doda nuk është paraqitur për të ushtruar të drejtën e saj për t’u njohur me dokumentet, por ka kërkuar shtyrjen e afatit, kërkesë që është pranuar nga Komisioni.

Më datë 1 tetor, Doda ka njoftuar Komisionin se më datë 14 shtator i kishte paraqitur Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ kërkesë për heqje dorë nga statusi i magjistratit.

Komisioni është njohur me vendimin e KLGJ-së të datës datë 24 shtator, lidhur me deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për gjyqtaren Enkeleda Doda dhe prej verifikimeve të kryera ka rezultuar se subjekti nuk kishte kryer ankim në Gjykatën Administrative të Apelit.

Komisioni i ka dërguar njoftim gjyqtares Doda se kishte të drejtën për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore, por që është refuzuar prej subjektit të rivlerësimit, e cila ka shprehur qëndrimin se nuk dëshironte të dëgjohej.

Bazuar në këto rrethana, KPK ka vendosur ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për gjyqtaren e Sarandës Enkeleda Doda dhe ndalimin e riemërimit të saj si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli; anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë; Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.