Është arratisur nga Greqia pas dënimit me 13 vite burg, ka dyshime se nënkryetari i Agimit të Artë është fshehur në jug të Shqipërisë
Një nga ish-drejtuesit kryesorë të partisë “Agimi i Artë” që u nxor jashtë ligjit në Greqi është zhdukur dhe po kërkohet nga policia greke.
Mediat greke raportojnë se nënkryetari i Agimit të Artë Christos Papas është arratisur pas daljes së urdhër arrestit që pasoi dënimin e tij dhe të anëtarëve të tjerë të kupolës së partisë ekstremiste.
Hetimet po zgjerohen në Shqipëri dhe Itali pasi policia nuk përjashton mundësinë që ai të ketë ikur në një vend fqinj me shumë gjasa në jugun e Shqipërisë sipas medias në Athinë.
Avokati i tij në një intervistë për televizionin SKAI, nuk u përgjigj nëse klienti i tij është apo jo në Greqi dhe theksoi se ai nuk ka biseduar me të, sepse nëse një gjë e tillë do të ndodhte autoritetet do ta kishin më të lehtë për ta gjetur.
Christos Papas është dënuar nga gjykata greke me 13 vjet e 3 muaj burgim.
Papas, ka vizituar disa herë Shqipërinë dhe ka qenë edhe në Himarë ku ka nxitur trazira dhe tensione. Para disa vitesh ai ka dhënë edhe intervista në mediat shqiptare ku kërkonte “çlirimin e Vorio Epirit”.