6 dekada në arsim, Luan Ahmeti mësuesi që ka edukuar breza nga Saranda, Ksamili dhe Mursi

Deputeti Alket Hyseni, ka ndarë sot një përshkrim të mësuesit të njohur Luan Ahmeti, që këtë vit bën 6 dekada në arsim.

“Këtë vit bëhen 6 dekada në arsim.

60 vite kushtuar edukimit dhe arsimimit të sa e sa brezave në Sarandë, Ksamil dhe Mursi.

Nga shkolla “Adem Sheme” tek “9 Tetori” , nga Shkolla e Mesme Ksamil tek ajo e Mursisë, dikur me 500 nxënës, nga Gjimnazi “Hasan Tahsini” tek Shkolla jopublike “Dea 2001”, që ideoi, ngriti dhe ktheu në institucion vlere dhe cilësie.

Nga një mësues i thjeshtë i fizikës, drejtor i disa shkollave dhe Drejtor i Zyrës së Arsimit të Rrethit Sarandë.

Aktiv dhe i palodhur, në shtet dhe aktivitetin privat, i edukuar dhe përkushtuar si ditën e parë të punës, i sjellshëm dhe qytetar model në shoqëri. Gëzon respektin maksimal të kolegëve, mijra nxënësve të tij dhe komunitetit.

Me punën, profesionalizmin, ndershmërinë, vlerat më të mira humane dhe familjen e nderuar, Luan Ahmeti është patjetër personalitet i padiskutueshëm i Sarandës, është një shembull për tu ndjekur nga të gjithë.

Jam krenar që jo vetëm e njoh, por e kam një mik të mirë, këshilltar të vyer dhe kritik të mençur.

Luan Ahmeti, një jetë me nxënësit, një jetë për nxënësit, një jetë për Sarandën”, shkruan Hyseni në postimin e tij. /Sarandanews.com/