Rama nga Vlora: S’ka marrëveshje për detin me Greqinë pa miratimin e presidentit

Nga Vlora pas përfundimit të ceremonisë për 100-vjetorin e luftës së Vlorës, kryeministri Edi Rama i është përgjigjur presidentit Ilir Meta për akuzat se ka bërë marrëveshje me Greqinë për detin.

Rama tha se nëse do kishte një marrëveshje të tillë, kreu i shtetit do të ishte në dijeni duke theksuar se kjo është një procedurë që kalon nga qeveria te presidenti dhe më pas në parlament.

Për kreun e qeverisë deklarata e homologut grek në parlament po përdoret nga kundërshtarët e tij si karrem për të peshkuar ndërsa ironizoi duke thënë se ata që e hanë këtë karrem janë truspeshk.

Ai u pyet nga gazetarët për një shtrëngim duarsh me presidentin, për të cilën deklaroi se është një procedurë që nuk e lejon Covid-19 për shkak të rregullave të distancimit fizik.

“Nderojmë një moment të jashtëzakonshëm të historisë shqiptare në Vlorë. Kjo është pjesë e përjetimeve personale por është emocion i veçantë dhe ndjesi e një vepre që i qëndron kohës jo vetëm për përmbajtjen por edhe për veprën.

Nuk marr mungesat e opozitës. Nuk e kam dëgjuar por jam i bindur që presidenti e di shumë që ia fut kot se po të kishte marrëveshje presidenti do kishte dijeni për këtë. E përsëris dhe njëherë për ata që bien në grepat e atyre që bëjnë politikë me KÇK se nuk ka asnjë marrëveshje.

Negociatat me Greqinë u ndërprenë që pas ndryshimit të qeverisë në Greqi. Nuk ka asnjë marrëveshje me palën greke. Deklarata e ministrit grek nuk ka lidhje fare me Shqipërinë por me konceptin për t’u shtrirë me 12 milje aty ku i lejohet. Kjo është kthyer në karrem për të peshkuar.

Kjo është kthyer në histori qesharake. Nuk ka si të bëhet një marrëveshje kur nuk ka letra dhe procedura. Marrëveshja shkon nga grupi negociator, në qeveri të presidenti në Gjykatë Kushtetutese dhe më pas ratifikohet në parlament. Kush e ha këtë karrem është trupeshk.

Me Metën nuk kemi shtrënguar duart se nuk e lejon Covid-i”, tha Rama.