Rama, me drejtuesit e qarqeve: Synojmë minimumi 74 mandate
Një minimum prej së paku 74 mandate deputetësh është kërkuar nga Kryeministri Edi Rama nga drejtuesit e Partisë Socialiste në të 12 qarqet e vendit.
Mësohet se gjatë takimit që ka zhvilluar paraditen e sotme, me drejtuesit e shtabit elektoral, Rama ka kërkuar që të mbajnë kontakte me elektoratin, në kërkim të një mandati të tretë.
“Forumi Rinor Eurosocialist Shqiptar nga nesër nis riformatimin. Synojmë minimumi 74 mandate”, u shpreh Rama.
Kjo mbledhje vjen pas asaj të grupit parlamentar në Elbasan, ku u caktuan edhe drejtuesit e shtabit elektoral.
Ilir Beqja u caktua drejtues i fushatës në Shkodër, Lindita Nikolla në Lezhë, teksa vetë kryesocialisti Edi Rama u vendos në Durrës, pas largimit të Vangjush Dakos.
Erion Veliaj dhe Elisa Spiropali do të jenë drejtues politik në Tiranë, Safet Gjici në Kukës, Olta Xhaçka në Dibër, Taulant Balal në Elbasan, Gramoz Ruçi në Fier, Niko Peleshi në Korçë, Bledi Çuçi në Gjirokastër dhe Damian Gjiknuri në Vlorë.