Gjirokastër/ Sistemohet rrjedha e lumit Kardhiq, po gërryente rrugën e fshatit

Në fshatin Kardhiq në Gjirokastër po ndërhyhet për të sistemuar rrjedhën e lumit më të njëjtin emër, i cili po gërryente rrugën e fshatit.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, tha se “jam shumë i kënaqur që po i japim zgjidhje një problemi të vjetër, por mjaft shqetësues për banorët e fshatit Palokastër. E dhashë zotimin para banorëve këtu e një vit më parë dhe rikthehem sot në kantierin e punimeve, i cili do duhet të përfundojë brenda këtij viti”.

“Falë investimit të Ministrisë së Bujqësisë dhe angazhimit personal të vetë ministrit e deputetit tonë, Bledi Çuçi, po ndërhyjmë për të sistemuar rrjedhën e lumit Kardhiq, i cili po gërryente rrugën e fshatit. Mbrojtja lumore që është duke u ndërtuar shpëton të vetmen rrugë që lidh fshatin me zonat e tjera”, – tha Golemi.

Sipas tij, edhe pse po shkojmë drejt fundit të një viti të vështirë financiar për shkak të pandemisë, sërish ia kemi dalë mbanë me vendosmëri për të kryer disa investime në zonat rurale.

“Vërtet mund të jenë pak si volum pune apo si vlerë financimi, por janë investime të domosdoshme për ata që jetojnë në fshat”, shtoi Golemi.

Kryebashkiaku Golemi u shpreh se “do të vazhdojmë të punojmë për të përmirësuar infrastrukturën dhe shërbimet publike në çdo cep të bashkisë Gjirokastër”.

“Koha është flori dhe ne s’kemi hiç kohë për të humbur. Besimin që na është dhënë do ta kthejmë në punë e shërbime që flasin vetë më shume se llafet që i merr era”, – tha Golemi.