882 nxënës rikthehen në 15 shkolla në Delvinë, Qilimi: Gati të gjitha masat, parësor shëndeti i fëmijëve
Në bankat e 15 shkollave të bashkisë Delvinë pritet të ulen rreth 882 nxënës këtë vit të ri shkollor, ndryshe nga çdo vit tjetër për shkak të pandemisë COVID-19.
Kryetarja e bashkisë Delvinë, Majlinda Qilimi, tha për ATSH-në se “në bashkinë e Delvinës janë 15 shkolla që do të hapin dyert për 882 nxënës. Janë marrë të gjitha masat dhe shkollat janë në gatishmëri të plotë për të mirëpritur nxënësit dhe mësuesit”.
“Parësor është shëndeti i fëmijëve dhe bashkia është mundur ta respektojë të gjithë rregullat që përmban protokolli i Ministrisë së Shëndetësisë”, – tha Qilimi.
Kryetarja e bashkisë Qilimi u shpreh se “ky vit kërkon një organizim dhe një menaxhim ndryshe nga çdo herë tjetër. Ditën e sotme organizuam një takim me drejtuesit e Institucioneve Arsimore, përfaqesues nga Njësia Vendore e Shëndetit Publik, anëtarë të Këshillit Bashkiak , përfaqësues nga Këshillat e Prinderave, etj, për të diskutuar mbi përgatitjet e fundit për vitin arsimor 2020 -2021”.
“Ndërsa dje inspektuam kopshtet dhe shkollat e qytetit për të parë nga afër përgatitjet e fundit që po kryhen në prag të këtij viti shkollor”, – tha Qilimi.
Sipas saj, pandemia dhe prania e COVID -19 na kushtëzon kryerjen e aktivitetit mësimor në një realitet te ri, ku primar është shëndeti i fëmijëve tanë.
Kryebashkiakja Qilimi u shpreh se “vërejmë se të gjitha stafet mësimore janë angazhuar tërësisht për të siguruar mjedise të sigurta të cilat mundësojnë respektimin e rregullave që dikton protokolli i sigurisë”.
“Prania e punonjësve të Njësisë së Shërbimeve ndihet kudo, duke ndërhyrë për të kryer në kohë higjenizimin, dezinfektimin, lyerjen, vendosjen e piketave që shërbejnë për distancim social si dhe gjithçka tjetër që i shërben mirëfunksionimit të institucionit shkollor.
Në 14 shtator gjithçka do të jetë gati”, – tha Qilimi.
Në 14 shtator në të gjithë vendin do të fillojë viti i ri mësimor 2020-2021. Të gjitha bashkitë kanë marrë masat që të zbatohen udhëzimet e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë.