Zbardhet vrasja në Gjirokastër, arrestohet i riu nga Derviciani

Mihal Thimjo, është 33-vjeçari i arrestuar nga Policia e Gjirokastrës pas gjashtë orë kërkimesh, i dyshuari kryesor për krimin tronditës që ndodhi një ditë më parë.

Gëzim Saraçi, u gjet i pajetë brenda mjetit të tij në aksin rrugor rural Polican-Suhë.

Autori është kapur në automjetin e tij në rrugën nacionale pranë lagjes së njohur si “Blloku i furrave”. Të dy personat kishin njohje të vjetër familjare me njëri – tjetrin dhe madje kishin qenë duke drekuar në Poliçan të Zagorisë ditën e krimit.

Në kthim ka qenë një konflikt i çastit që ka shkaktuar grindjen fizike mes tyre. Viktima ka goditur i pari Thimjon i cili është kundërpërgjigjur duke e goditur me levë viktimën 57-vjeçare. Autori 33 – vjeçar është I plagosur në shpatull dhe në këmbë.

Policia bëri të ditur se i janë dashur gjashtë orë kërkime falë përdorimit të metodave proaktive të bëjnë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e 33-vjeçarit Thimjo.

NJOFTIMI I PLOTE

Zbardhet në kohë rekord ngjarja e ndodhur në datën 05.08.2020, në aksin rrugor Poliçan-Suhë, ku u gjet i pajetë 57-vjeçari G. S.

Pas 6 orë kërkimesh dhe kontrollesh në të gjithë zonën u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe prangosja e autorit të dyshuar të vrasjes.

Policia gjeti dhe sekuestroi në një banesë tjetër edhe rrobat që autori kishte veshur gjatë kryerjes së krimit.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit se në aksin Poliçan-Suhë ishte gjetur i pajetë shtetasi G. S., strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes.

Falë punës së mirorganizuar hetimore të kryer nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i autorit.

Rreth 50 forca policore, pas 6 orë kërkimesh, krehje të zonës, kontrolleve në disa ambiente dhe banesa të dyshuara dhe falë përdorimit të metodave proaktive, bënë të mundur lokalizimin e vendndodhjes së autorit, kapjen dhe shoqërimin e tij në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. Th., 33 vjeç, banues në Dervician, për veprën penale “Vrasja me dashje”, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin G. S., 57 vjeç, banues në Humelicë, Gjirokastër, duke i shkaktuar vdekjen.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.