Shqiptarja në Greqi vendos rekord botëror në hedhjen e shtizës: Dua që mami të mos pastrojë më shtëpi

Elina Zhengo është 20 vjeçarja shqiptare që ka thyer rekordin botëror për 20 vjeçarë në hedhjen e shtizës, teksa përfaqësoi Greqinë në Kampionatin e organizuar në fillim të gushtit.

Në një intervistë për gazetën greke “FOS”, ajo ka folur për këtë sukses të sajin, por edhe për objektivin e rëndësishëm që i kishte vënë vetes.

“Unë kam lindur në Selanik. Të dy prindërit e mi janë shqiptarë. A ndjehem greke? Sigurisht që po. Unë kam lindur në Greqi, jam rritur këtu, kam qenë në shkollë këtu. Jam greke, ashtu si jam edhe nga Shqipëria. Por ndjehem më shumë greke, pasi kam jetuar gjithë jetën time këtu”, tregoi ajo.

Ajo thotë se familja e saj ka emigruar në Greqi për shkak të situatës jo të mirë ekonomike në vendin tonë, ndërsa shprehet se do të punojë fort që mamaja e saj të mos jetë më e detyruar të pastrojë shtëpitë e të tjerëve.

“Kur theva rekordin mamaja e priste, pasi besonte të unë. Sigurisht që kishte emocione. Prindërit e mi kanë kaluar momente të vështira. I telefonova nga stadium dhe ata kërcyen nga gëzimi. T’u dhuroja atyre gëzim ishte gjithçka për mua, më dukej sikur po e bëja për ata se kanë kaluar shumë vështirësi.

Babai im ishte polic në Shqipëri, nëna ime ishte mësuese. Kur ata erdhën në Greqi, për shkak të krizës në Shqipëri, babai im punonte në ndërtim dhe mamaja pastronte shtëpi. Dhe ajo vazhdon ende të pastrojë shtëpi… I kam premtuar se ajo nuk do ta bëjë më kurrë këtë punë, sepse unë do të arrij deri aty sa me paraqitjet e mia ta siguroj që të mos punojë kurrë më”, ishte premtimi i Zhengos e cila duket në rrugë të mbarë për ta përmbushur atë.