Mbrëmë bisedë telefonike me Ramën, Nikos Dendias do vizitojë Tiranën! Në fokus, nga ligji i luftës tek ujërat territoriale
Nikos Dendias do të vizitojë shumë shpejtë Tiranën, me gjasa brenda fillim muajit shtator,në një tentative finale të Athinës për përfundimin e asaj që quhet “shporta e çështjeve të hapura” mes dy vendeve.
Lajmi bëhet i ditur nga burime tepër të besueshme të Top Channel në ministrinë e Jashtme greke dhe duket se ka marrë edhe pëlqimin e kreut të qeverisë shqiptare Edi Rama, gjatë një bisede telefonike që Dendias dhe Rama patën mbrëmjen e një ditë më parë.
Burimet sqaruan se palët kanë vendosur të rinisin negociatat, ku mes temave që do të diskutohen, do të jetë finalizimi i detajeve për marrëveshjen e delimitimit të ujërave territoriale dhe përcaktimin e zonës ekskluzive ekonomike mes dy vendeve, por edhe çështje të tjera,siç janë abrogimi ‘de jure’ i ligjit të luftës, testet shkollore, çështja e pronave në të dy anët kufirit,marrëveshja e përdorimit të ujërave të ëmbla dhe baseneve ujore në dy anët e kufirit,marrëveshja për mirëmbajtjen e piramidave,si dhe përmirësimi i statusit të minoritetit grek në Shqipëri dhe të drejtat e emigrantëve shqiptarë në Greqi.
Duket se këtë herë ofensiva diplomatike e Greqisë në rajon, do të sjellë edhe “dhuratat” përkatëse për Shqipërinë, i thanë Top Channel burimet.
Konjektura duket se është e përshtatshme, pasi Athina zyrtare është e gatshme për të lëshuar “pe” në negociatat mes dy vendeve, pasi ajo, dëshiron mbylljen e problemeve me fqinjët e saj, për tu përqendruar në përballjen e saj në zgjidhjen e morisë se probleme me fqinjin dhe konkurrentin e saj,Turqinë.
Këtë herë palët ftohen të përfundojnë marrëveshjet pa vonesa,ndaj sipas burimeve,diplomatë të lartë grekë i kanë këshilluar kryeministrit Mitsotakis dhe ministrit Dendias, të ezaurojnë çdo mundësi për marrëveshje, të bazuara në bazë të se drejtës ndërkombëtare dhe të drejtës se detit.
Udhëzues për një marrëveshje të mirë mes palëve do të jetë ajo mes Italisë dhe Greqisë,ndërsa këtë herë Athina synon të mbështesë edhe më fortë Shqipërinë edhe në përshpejtimin e proceseve evropianizuese, pa lënë hapësirë të mëtejshme të rritjes së ndikimit turk në Shqipëri.