VIDEO/ Ja cila është kompania projektuese e “Marina Town Saranda”
Një projekt gjigant pritet t’i shtohet bregdetit të Sarandës.
“Marina Town” është një kompleks hotelesh, rezidencash dhe një port jahtesh që do të shtrihen përgjatë bregut të Jonit.
Videoprojekti është publikuar nga deputeti i Partisë Socialiste në Sarandë, Alket Hyseni.
“Vizioni ynë për Sarandën e së nesërmes. Super projekt, së shpejti…”, shkruan Hyseni në rrjetet sociale.
Projekti është realizuar nga studio e EAA e arkitektit turk Emre Arolat, me bazë në Stamboll.
“Projekti ynë i ri në shkallë urbane: “Marina Town Saranda”. Studim për një vendbanim të mahnitshëm të vendosur në brigjet e detit Jon të Shqipërisë.
Master Plan i integruar me vizionin e zhvillimit urban të qytetit, përbëhet nga lloje të ndryshme të objekteve rezidenciale, rekreative, turistike, hotel me pesë yje dhe shumë hapësira publike.
Ky projekt domethënës do të ketë ndikim jo vetëm në rajonin e Sarandës, por edhe më gjerë”, përshkruhet projekti në profilin në Instagram të Emre Arolat.
Arolat është një emër i njohur në dizajnimin e projekteve të tilla.
Fitues i disa çmimeve për projektet arkitekturore, Erolat është projektuesi i Yalıkavak Palmarina, në Bodrum, në jugperëndim të Turqisë.