Vendimi ri, Manastirliu: Maskat do të jenë të detyrueshme në…
“Maskat ose barrierat e mbrojtjes prej tekstili do të jenë të detyrueshme të mbahen në ambientet e mbyllura nga çdo qytetar”.
Nga qendra shëndetësore nr. 8 në Tiranë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bëri të ditur se vendosja e maskës me detyrim në ambientet e mbyllura është një masë e domosdoshme, që do të hyjë në fuqi për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe për të kufizuar përhapjen e COVID19.
“Me vendimin e Komitetit Teknik të Ekspertëve kemi vendosur që maskat/barrierat mbrojtëse, ashtu siç i kemi përcaktuar të jenë të detyrueshme në transportin publik apo në aktivitetet me rrezikshmëri të lartë, tashmë do të jenë të detyrueshme për të gjithë individët për t’u përdorur në ambientet e mbyllura.
Do të jetë një përgjegjësi më shumë e të gjithë qytetarëve, për të mbajtur barrierat mbrojtëse, kudo në ambientet e mbyllura.
Të gjithë ata individë që nuk do ta përdorin barrierën mbrojtëse, sipas udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, do të penalizohen”, bëri të ditur Manastirliu, njofton zyra e shtypit në ministri.
Duke theksuar betejën e madhe që po bëhet në spitalin infektiv për shpëtimin e jetëve të pacientëve ku aktualisht po trajtohen 90 qytetarë, Manastirliu tha se beteja me Covid 19 vazhdon çdo ditë në terren nga epidemiologët apo edhe mjekët e familjes që po ndjekin rastet me Covid19 në kushte shtëpie.
Duke falenderuar personelin shëndetësor për punën e kryer me shumë përgjegjësi dhe duke i garantuar për mbështetjen e vazhdueshme të tyre me materiale të mbrojtjes personale, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka apeluar për respektim të rregullave të vendosura.