Të huajt mbërrijnë në Sarandë, qyteti po gjallërohet, por mbrëmjet në qytet mbeten të vakëta

Përveç shqiptarëve të Kosovës, në Sarandë kanë mbërritur edhe turistët e parë të huaj. Kjo i ka dhënë gjallëri qytetit bregdetar, dhe ka ngjallur optimizëm mes operatorëve turistikë, por mbrëmjen në qytetin buzë jonit mbeten të vakëta në krahasim me një vit më parë!

Turistët e parë të huaj kanë filluar të mbushin shëtitoren e Sarandës përgjatë mbrëmjes

Pa frikë nga koronavirusi, ata  kanë nisur të shijojnë qytetin edhe pse këtë vit nuk flitet për jetë nate si vitet e kaluara!

“Është hera ime e parë në Shqipëri. Në mbrëmje shëtitëm, hëngrëm peshk, dhe pamë njerëzit në plazh. Deri tani nuk kam frikë nga Covid 19, ndryshe nuk do ishim këtu. Me shumë gjasa nuk do të vijmë vitin tjetër por po e shijojmë kohën këtu, do të jemi edhe disa javë. Jam angleze, por jetoj në Holandë, është shumë lirë të vish këtu.”

Shqiptarët e Kosovës i janë rikthyer jugut gjithashtu, pas mungesës së tyre vitin e shkuar.

Bllokimi i një pjesë të bulevardit, u ka hequr disa nga kënaqësitë e mbrëmjes turistëve të cilët tani mbrëmjet i kalojnë në shëtitje ose restorante.

“Është hera ime e parë në Shqipëri. Mbrëmjen do e kalojmë duke ngrënë diçka në restorant ose tavernë. Nuk jemi te frikësuar nga Covid 19. Po Saranda më pëlqen, ka det, është e këndshme.”

Muaji korrik po i jep optimizëm industrisë së turizmit në Sarandë, me ardhjen e turistëve të huaj dhe atyre nga Kosova të cilët tani pushojnë jo vetëm për fundjavë.