Reforma zgjedhore, Rama: Arritëm konsensus të gjerë, Basha të mos bëjë gabimet e së shkuarës duke refuzuar tryezat
Kryeministri Edi Rama, në një deklaratë për mediat pas takimit të mbrëmjes së sotme me opozitën parlamentare me të cilën u firmos marrëveshja për të votuar kodin zgjedhor dhe ndryshimet kushtetuese, u shpreh mjaft optimist për konsensusin e arritur.
Ai tha se në takim u arrit një konsensus i gjerë për të votuar më 23 korrik ndryshimet në kodin zgjedhor, të dakordësuar në marrëveshjen 5 qershorit në këshillin politik, duke përjashtuar këtu Myslym Murrizin i cili deklaroi votën e tij kundër, dhe një konsensus i plotë për ndryshimet kushtetuese për listat e hapura.
Kryeministri shprehu gatishmërinë për të mbledhur që nesër këshillin politik, në mënyrë që të vijohet me diskutimet me opozitën jashtëparlamentare, ndërsa i bëri thirrje PD-së dhe Lulzim Bashës që të mos bëjë gabimet e së shkuarës duke refuzuar tryezat politike.
“Përfitoj nga rasti duke u nisur edhe nga mbledhja e djeshme i bëj thirrje Bashës që të mos bëjë gabimet e së shkuarës duke refuzuar tryezat, por të vazhdojmë punën së bashku. Nuk po mendojmë të arrijmë konsensus 100 për qind, por kemi shumë mundësi që të biem dakord.
Nuk ka kërkuar ç’mund të kërkonte duke parë interesin e ngushtë partiak. PD është realitet demokratik nuk mund të bëjmë sikur nuk ekziston”, tha kryeministri.