Ilir Meta: Po bëj verifikimet për bazën ushtarake në Sarandë!
Presidenti Ilir Meta ka dalë këtë të hënë përpara gazetarëve, ku kërkoi nga politika që të mos krijoi tensione artificiale për dy çështje të rëndësishme, situatën me koronavirusin dhe plotësimin e kushteve për hapjen e negociatave.
I pyetur se në sekret të plotë qeveria po u jep oligarkëve një pjesë të territorit të bazës ushtarake në Sarandë, Ilir Meta u shpreh se ka nisur verifikimet.
“Tërheq vëmendjen ndaj të gjithëve për të mos humbur përqendrimin në përballimin më efikas të pandemisë, pasi shtimi i rasteve të qytetarëve dhe numrit të viktimave kërkojnë urgjentisht një reflektim nga të gjithë, nga institucionet, qeveria, opozita, sipërmarrjet dhe çdo qytetar.
Është e domosdoshme një strategji e re, me protokollet e mirëpërcaktuara dhe për të vënë në kontroll përhapjen në rritje të kësaj pandemie.
Është i domosdoshëm një komunikim efikas me vendet fqinje për të shkëmbyer informacione në kohë reale me qëllim që kjo strategji të na mundësojë daljen sa më të sigurt dhe të shpejt nga kjo situatë“, tha Meta.
“Hetimet i zhvillon prokuroria, por si president, sapo jam njohur me një pretendim të tillë, kërkova nga ekipi im i sigurisë kombëtare që të bëjnë verifikimet që pastaj të kemi një qëndrim edhe publik edhe sa më të saktë” tha ai.