Basha sugjeron rihapjen e kufirit me Kosovën për të ndihmuar turizmin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha sugjeroi të shtunën që qeveria të shqyrtojë mundësitë për të rihapur kufirin me Kosovën.

Në një intervistë televizive, kryetari i PD-së argumentoi se shoqërimi i mbylljes së aktiviteteve ekonomike me mbylljen e kufijve ka vënë në situatë kritike ekonominë.

Edhe pak javë dhe zyrtarisht nis kalendari i sezonit turistik, por sektori i turizmit duket ai më i godituri nga efektet e pandemisë së COVID-19.

“Urgjentisht duhet të ulen me qeverinë e Kosovës dhe të bëjnë një plan, duke respektuar sigurisht rregullat dhe të hapin kufijtë. Ç’është kjo zvarritje? 45-50% e turizmit vjen nga Kosova dhe një pjesë nga Maqedonia e Veriut.

Urgjentisht duhet vepruar në këtë drejtim, çfarë presim? Çfarë prioriteti tjetër mund të ketë përveçse të shpëtojë sa mund të shpëtojë nga ato degë të ekonomisë që do të vuajnë më shumë për shkak të pandemisë,” – u shpreh Basha.

Kryetari i PD-së ngarkoi me përgjegjësi qeverinë për mungesën e masave parandaluese ndaj pasojave ekonomike.